SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Memorie: 144 vjet nga formimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Si sot 144 vjet më parë, më 10 qershor 1878, u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtar shqiptar.

Në nder të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ministrat e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, Evis Kushi dhe Arbërie Nagavci, vendosën dje me urdhër të posaçëm që ditën e sotme të gjitha shkollat orën e parë të mësimit t’ia kushtojnë përkujtimit të kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme.

Ky vendim i Shqipërisë dhe Kosovës synon të përcjellë tek nxënësit vlerat e rralla dhe dashurinë për shqiptarinë.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pati karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk u zgjodh rastësisht kryeqytet dhe seli, në të cilin u mbajt Kuvendi mbarëkombëtar shqiptar më 10 qershor 1878.

Delegatët që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin për çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë.

Mendim të njëjtë shprehën delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar.

Në ditën e parë të punimeve në Kuvend folën delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që u mbajtën në këtë ditë ruhet vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë, i vilajetit të Janinës.

Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ftoi të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera tha: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.

Delegatëve të grupimit atdhetar, iu desh të përballeshin në Kuvend si me qëndrimet e dëmshme të qarqeve pro Turqisë ashtu autoriteteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu, që ishte i pranishëm në këtë tubim. Ata u përpoqën të pengonin bashkimin e shqiptarëve në një lidhje kombëtare.

Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e përmbushi misionin e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ishte vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje. me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit./atsh///

error: