Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u prit në Beograd nga homologia e saj, ministrja e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Tatjana Matić, në vazhdën e memorandumit në fushën e turizmit të nënshkruar disa javë më parë në Samitin e Ohrit.
Pas takimit bilateral, ministrja Kumbaro në konferencën për shtyp u shpreh se rritja me 110 % e turistëve që kanë vizituar vendin tonë nga Serbia vitin e shkuar, është rezultat i komunikimit jo vetëm të sektorit privat, por edhe i institucioneve të vendeve tona në kornizën e Ballkanit të Hapur.
“Në 5 muajt parë të 2022 kemi rritje prej 55 % të turizmit nga të gjitha vendet e botës dhe 20 % të turistëve që vijnë nga Serbia, ndërkohë që nuk kemi hyrë ende në sezonin e lartë”, tha Kumbaro.
“Të dhënat na tregojnë se jemi në rrugën e duhur dhe nëse sektori privat, qytetarët tanë, performojnë shumë mirë në komunikimin e tyre turistik, është detyra jonë që ta mbështesim këtë ritëm. Unë kam ardhur në Beograd e shoqëruar jo vetëm nga një delegacion zyrtar, por edhe nga përfaqësues të sektorit privat të turizmit, siç janë përfaqësuesit e turizmit të hoteleve me 5 yje, kompanive të mëdha që prej vitesh operojnë në Ballkan, përfaqësues të tregut të formimit profesional, duke dakordësuar me ministren Matić zgjidhje të përbashkëta të problemeve”, u shpreh ministrja Kumbaro, sipas së cilës turizmi nuk është thjesht një sektor, por është sektori më i rëndësishëm për ekonominë në Shqipëri.
Kumbaro përmendi edhe rastin e blogerëve serbë që aktualisht ndodhen në Shqipëri për të promovuar atraksionet turistike në Berat, Gjirokastër, Shkodër, Tiranë, si një rast konkret i bashkëpunimit mes dy agjencive të turizmit.
Gjatë takimit mes ministres Kumbaro dhe ministres së Serbisë Matić u diskutuan bashkëpunime për një promovim të përbashkët në platformën digjitale turistike që Serbia po ndërton, bashkëpunim në kualifikimin e punonjësve të sektorit të turizmit dhe organizimet e përbashkëta që do të nisin nga shtatori me panairin e gastronomisë dhe të turizmit në Beograd.
“Ishte një takim shumë i mirë në të cilin folëm për hapat e përbashkët drejt një pune që synon tregjet e largëta si Azia, ku deri në fund të vitit Serbia pritet të ketë një fluturim të drejtpërdrejtë me Kinën. Nga kjo gjë përfiton i gjithë rajoni, pasi turistët nga tregjet e largëta e shohin rajonin si një të tërë”, tha ndër të tjera ministrja Tatjana Matić.
Në Beograd do të zhvillohet konferenca “Ide të reja për kohë të reja”, me pjesëmarrjen e agjencive të turizmit të Shqipërisë dhe Serbisë, operatorëve turistikë nga dy vendet dhe përfaqësues të sektorit të turizmit.


ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI