
Nga Blerim KORE
Gjatë këtyre ditëve Gjirokastra është kthyer në qendër të itinerareve turistike me motorra sportivë. Mbërritja e vizitorëve të huaj me motorra është një prej veçantive të këtij sezoni vere në qytetin e gurtë. Në mjaft raste turistët e huaj kanë preferuar që udhëtimin e tyre në drejtim të Gjirokastrës ti realizojnë me motorra, duke i shtuar guidave të tyre edhe kënaqësinë e sportit të motoçiklizmit.
Të preferuara për ta janë guidat sportive me dyrrotësh përgjatë kalldrëmeve të gurta të zonës historike, në rrugët malore në pikat turistike etj.Motoçiklisti Martin Visher, nga Austria, është një prej atyre dhjetëra të apasionuarve pas dyrrotëshit, që po realizon një udhëtim në Shqipërinë turistike, përfshirë edhe zonën e Gjirokastrës. Prej 20 vitesh ai ndërmerr udhëtime me motorr në vende të ndryshme të botës, ndërkohë që kësaj radhe në guidën e tij ka përfshirë për herë të parë Shqipërinë.

“Prej disa ditësh po kryej një udhëtim me motorr në vendin tuaj”, thotë turisti austriak ndërsa tashmë viziton Shqipërinë i ulur në ndenjësen e një “Honda”. “E kam nisur me Durrësin, vijon ai, kam mbërritur në Gjirokastër, do të vazhdoj me Korçën, Elbasanin, Tiranën, Shkodrën, etj”. Mes të tjerash motoçiklisti nga Austria pohon se, gjatë këtij udhëtimi ka soditur një natyrë të bukur dhe të mrekullueshme, ka takuar njerëz mjaft miqësorë. “Mendoj se vendi juaj i ka të gjitha kapacitetet për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, madje ai mund të jetë një sektor fitimprurës për Shqipërinë”, thotë mysafiri nga Austria.

Ndërkohë gjatë qëndrimit në Gjirokastër ai ka përshkuar me “Honda” dyrrotëshe, disa prej zonave të qytetit, të cilat i kanë lënë mbresa të veçanta. “Kam parë nga afër Pazarin e gurtë, thotë ai, kështjellën, disa prej shtëpive karakteristike dhe mendoj se janë mjaft të veçanta në mënyrën e ndërtimit dhe konceptimit të tyre arkitektonik”. Mes të tjerash motoçiklisti austriak sugjeron që vlera të tilla duhen mirëmbajtur dhe restauruar pasi janë mjaft tërheqëse për turistët. “Një turizëm cilësor mund të sjellë të ardhura mjaft të mira për banorët e qytetit”, thotë austriaku Martin Visher, ndërsa premton se do të përfshijë sërish Gjirokastrën në udhëtimin e tij me motorr.//sarandanews.al///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.