SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Hapet i përfunduar për qarkullimin e automjeteve bajpasi i Vlorës

Bajpasi i Vlorës, një segment kyç për turizmin bregdetar që ofron edhe një panoramë fantastike të gjirit të Vlorës, u hap pasditen e sotme i përfunduar për qarkullimin e automjeteve.Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektuan sot këtë vepër të rëndësishme infrastrukturore, të cilën Kryeministri e cilësoi “një tjetër provë e cila flet vetë për vullnetin e palëkundur për Shqipërinë që duam”.

E gjithë gjurma e projektit është e asfaltuar dhe trafiku do vijojë në kushte të plota të sigurisë rrugore në ndryshim nga hapja e përkohshme që u bë një vit më parë.“Miqtë amerikanë që ishin sot paradite kaluan këtu dhe nuk u besohej që kjo ishte një vepër që ishte në Shqipëri. I thashë, ‘të jeni të sigurt se edhe këtu është Shqipëri, nuk është vetëm aty poshtë’. Ata as nuk e imagjinojnë dot që përtej kompleksitetit inxhinierik vepra ka gjithë ato historitë e tmerrshme me prona, me pseudopronarë”, tha Rama.

Ndërkohë, ministrja Balluku u shpreh se tashmë kanë përfunduar urat 2 dhe 3 dhe i gjithë aksi është i hapur për qarkullimin e automjeteve.

“Tashmë ka përfunduar ura 2 dhe ura 3. Është bërë një zgjidhje teknike e kënaqshme, pas gjeologjisë shumë të vështirë të zonës. Sot traseja është totalisht e përfunduar dhe duke filluar nga ky moment lejojmë kalimin e automjeteve”, tha Balluku.Ministrja theksoi se “kjo rrugë plotëson të gjitha parametrat e shpejtësisë rrugore, ndaj do të kontrollohet me radarë”.

“Kjo është një zonë që ka edhe pjesë shumë të bukura për foto. Vitin e kaluar ndalonin automjetet e bllokohej trafiku. Shpresoj në bashkëpunimin e qytetarëve që të mos ndodhë më”, tha ajo.

Po ashtu, Balluku informoi se po përgatiten ballkonet panoramike ku do të vendosen edhe veprat e artit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.Ministrja u shpreh se ura 3 ka një lartësi prej 35 metrash dhe edhe në këtë rast supervizori ka sugjeruar një zgjidhje teknike për shkak të gjeologjisë së vështirë të zonës.“Vjet ne ishim duke punuar në këto ura dhe qarkullimi u devijua përmes Kaninës. Tashmë nuk do të ketë më kalim të automjeteve brenda Kaninës dhe kjo do të jetë zgjidhja më e mirë. Trafiku nuk do të mbyllet më, ndërkohë që kompania do të punojë me skuadra të reduktuara gjatës sezonit dhe në tetor do të punojë me kohë të plotë në pjesët që nuk kanë të bëjnë me shtratin e rrugës dhe sigurinë rrugore, që tashmë janë të përfunduara”, tha Balluku.

Bajpasi i Vlorës lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, pjesa jugore e Vlorës. Gjatësia e këtij aksi është 29 km dhe fillon që nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë dhe përfundon në rrugën nacionale Orikum-Dukat. “Kjo rrugë do vihet në funksion të plotë për automjetet dhe ka një gjerësi prej 10.5 metra, të cilat 7 janë të kalueshme dhe pjesa tjetër bankinë. Zgjidhja e dhënë për urën nr. 2 është një zgjidhje teknike shumë e mirë  dhe në këtë moment, për shkak të kohës së shpejtë që kemi punuar, ka qenë zgjidhja më efektive për ti dhënë frymëmarrje aksit”, – tha Berberi, kreu i ARRSH.

Punimet në këtë vepër do të vazhdojnë me disa detaje të mbetura pa përfunduar, por të cilat nuk shkaktojnë probleme apo bllokim të trafikut.///

error: