Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa u shpreh sot se, “ceremonia e Akademisë së Shkencave ishte si plenumi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Rilindur”.
Në një deklaratë në selinë e PD, Zhupa theksoi se, “ceremonia që ndoqët sot duhet të ishte një ditë feste për shkencën dhe mendimin shqiptar. Siç e prisnim dhe siç e patë, nuk rezultoi më shumë se një plenum i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Rilindur, një takim i udhëheqësit me shokët e një Akademie pa shkencë dhe të pashoqe në botë”.
“Për faktin e thjeshtë dhe fatin e keq, se Akademia e Shkencave është kthyer në skutë politike, pjesë e një shteti që i ka të gjitha pushtetet. Një Akademi shkencash serioze do të kishte folur ndërkohë për udhëkryqet ku gjendet Shqipëria: Për dramën e shpopullimit; Për Ballkanin e Hapur që, nën maskën e lirisë, kthen ditët e Jugosllavisë; Për rrënimin e trashëgimisë kulturore, si në rastin e Butrintit, ku kryetari i Akademisë tha se nuk i kishte pyetur njeri; Për tekstet shkollore me plot marrëzira, ndër të tjera prindi 1 dhe prindi 2; Për idenë kombëtare, apo ku po shkon kombi në 100 vjetëshin e dytë të ekzistencës si shtet”, tha Zhupa.
Ajo shtoi se, “vepra e vetme në shkencë e Akademisë mbetet pamfleti udhëzues për Covid-19, një doracak i shkarkuar në internet”.
Zhupa vijoi se, “të presësh më shumë nga kjo Akademi do të thotë të kesh pritshmëri, së pari nga kreu i saj, dhe së dyti nga ai që e caktoi në drejtim të këtij institucioni. Ju kujtojmë se sot Akademia e Shkencave drejtohet në mënyrë të paligjshme nga Skënder Gjinushi, një kryetar i pa dekretuar nga Presidenti i Republikës. Mos dekretimi erdhi për shkak të faktit se Gjinushi ishte në shkelje flagrante të ligjit: mbante postin e kryetarit të një partie politike dhe emërohej në krye të Akademisë së Shkencave”.
“Ju kujtojmë gjithashtu se Skënder Gjinushi, ka qenë ministri i fundit i Arsimit i diktaturës Hoxha-Alia. Ju kujtojmë se “Ligji për Akademinë e Shkencave” është antikushtetues, sepse Asambleja e ASH ka marrë kompetenca qe i ka vetëm parlamenti, duke miratuar kryetarin pa dekret. Dekretimi i Kryetarit te ASh është kompetencë eksplicite e Presidentit e shprehur ne kushtetute. Në këto kushte nuk kemi Akademi që përcakton programacionin e kombit dhe të shtetit, por një seksion të pushtetit të Edi Ramës”, u shpreh Zhupa.
Zhupa nënvizoi se, “Partia Demokratike do ndjekë te gjitha hapat e nevojshëm, ne gjykatat kombëtare edhe ndërkombëtare, qe Akademia të mos jete pensionim luksi për politikanet e fundit të diktaturës, por institucion i pavarur nga politika, institucion mendimi dhe qëndrimesh publike në të mirë të zhvillimit të shtetit dhe kombit”.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI