/ Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot, marrëveshjen Shqipëri-Greqi mbi Kanalin e Korfuzit.
Më 8 shkurt të vitit 1958, Shqipëria dhe Greqia nënshkruan Protokollin mbi spastrimin nga minat të Kanalit të Korfuzit.

Për një periudhë afro katër-mujore, prej datës 15 mars deri më 7 korrik 1958, secila prej palëve kreu punimet për pastrimin e minave që mund të gjendeshin në këtë zonë që prej Luftës së Dytë Botërore, sipas koordinatave të përcaktuara të ujërave të tyre territorialë.

Pas përfundimit të kësaj kohë-shtrirjeje, prej datës 30 korrik e deri më 2 gusht, përfaqësues të qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë së bashku me homologët e tyre në kabinetin grek, u mblodhën në qytetin e Sarandës për të shqyrtuar punimet e kryera.

Në një deklaratë të përbashkët, ata komunikuan nënshkrimin e një Protokolli përfundimtar, i cili mundësonte që duke filluar nga ora 12:00 e datës 4 gusht 1958, Kanali i Korfuzit të ishte “i lirë për lundrimin e anijeve të mbiujshme”.
Në emër të qeverisë së RPSH-së nënshkroi Kapiteni i rangut të parë të Marinës, Abdi Mati, ndërsa për palën greke nënshkroi i barazvlefshmi i tij, Emanuel Dhimotaqis.
Ky akt juridik u përpilua në përputhje me disa konventa që parashikonin marrëveshje të kësaj natyre, siç ishin: Konventa mbi detin territorial dhe zonën speciale, Konventa mbi detin e hapur, Konventa mbi peshkimin dhe ruajtjen e burimeve biologjike të detit të hapur, si edhe Konventa mbi rrafshnaltën kontinentale.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI