Qeveria shqiptare ka njoftuar synimin e saj për ta kthyer Vjosën në një rezervat biosfere të mbrojtur nga UNESCO.
Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri të Audrey Azoulay, drejtoreshë e përgjithshme e Organizatës, e cila vizitoi vendin tonë me ftesë të ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Duke i paraprirë një takimi pune me Kryeministrin Edi Rama në Tiranë, Azoulay vizitoi qendrën historike të Gjirokastrës, e klasifikuar që nga viti 2005 si trashëgimi botërore e UNESCO-s.Vitet e fundit, Organizata ka mbështetur Shqipërinë në rehabilitimin e shtëpive të trashëgimisë së qytetit dhe në inventarizimin e trashëgimisë kulturore jomateriale të qytetit, si pjesë e një qasjeje për promovimin e turizmit të qëndrueshëm që mbështet zhvillimin lokal.

Pranë Gjirokastrës ndodhet lumi Vjosa, i quajtur shpesh “lumi i fundit i egër i Evropës”, sepse ujërat e tij rrjedhin thuajse të pakufizuara nga burimi i tij në Greqi e deri në detin Adriatik. Vjosa është habitati i rreth 1100 specieve shtazore dhe bimore, duke përfshirë këtu 13 lloje shtazore dhe 2 lloje bimore që janë të kërcënuara globalisht.Qeveria shqiptare ka vendosur të përforcojë mbrojtjen e këtij ekosistemi të jashtëzakonshëm me synimin e mbrojtjes së Vjosës duke krijuar një zonë të mbrojtur që i nënshtrohet standardeve më të larta ndërkombëtare përmes shpalljes “Park Kombëtar”.

Aplikimi për të krijuar një rezervë biosfere të UNESCO-s
Me rastin e vizitës së Audrey Azoulay, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se dëshiron të paraqesë në muajt në vijim kandidaturën për rezervë biosfere të UNESCO-s për luginën e Vjosës.“Rezervat e biosferës janë një model i mrekullueshëm, pasi ato lejojnë mbrojtjen e natyrës duke përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve. Aplikimi për luginën e Vjosës në këtë program të UNESCO-s do të bazohet në tre prioritete: përmirësimi i cilësisë së ujit, lufta kundër shpyllëzimit dhe rigjallërimi i fshatrave nëpërmjet turizmit rural”, është shprehur Mirela Kumbaro.
“Përshëndes këtë nismë shumë të mirë të Shqipërisë, e cila hap një faqe të re në historinë e fortë që lidh këtë vend dhe organizatën tonë. UNESCO është në dispozicion të autoriteteve shqiptare për t’i mbështetur në përkufizimin e kësaj zone të mbrojtur dhe përgatitjen e kandidaturës së saj për programin tonë të rezervave të biosferës”, nënvizoi Audrey Azoulay.
Kjo nismë përforcon bashkëpunimin mes UNESCO-s dhe Shqipërisë, e cila tashmë është shumë e pasur sa i përket bashkëpunimit rajonal në fushën e ujërave, me disa projekte që variojnë nga menaxhimi i ujërave nëntokësorë në basenin e zgjeruar të lumit Drin e deri te administrimi i akuiferëve bregdetarë dhe ekosistemeve përkatëse të akuiferit ndërkufitar Buna/Bojana. Një nismë e re rajonale shumë e madhe për qeverisjen për ujërat nëntokësore është nënshkruar në janar 2023: bëhet fjalë për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë dhe Malin e Zi të cilët do të sigurojnë, me ndihmën e UNESCO-s, përdorimin dhe mbrojtjen e përbashkët të qëndrueshme dhe të barabartë të sistemit të akuiferit Dinarik karstik dhe burimeve të tij ekologjike.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI