Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një takim me drejtuesit e departamenteve të PD-së, tha se “mbi 900 specialistë i janë bashkuar departamenteve në PD-së”.
Sipas Berishës “sot departamentet e PD-së janë më të fuqishëm se asnjëherë në historinë e saj”.
“Ato kanë zgjedhur drejtuesit e tyre me vullnetin e tyre, kanë bashkuar rreth tyre, rreth 900 specialistë të fushave përkatëse. Përqendrimi ynë tek departamentet, konsolidimi i rolit të tyre ka një rëndësi të jashtëzakonshme për besueshmërinë e forcës tonë politike, për alternativat që ne do të ju paraqesim shqiptarëve, si dhe për afrimin gjithnjë e më të madh të specialistëve dhe ekspertëve më të mirë në këto departamente”, tha ai.
Berisha tha se “Shqipëria është në rënie të lirë, por ne absolutisht e ndalim këtë situatë”.
“Kultivimi, tërheqja e një elite, është kusht themelor për të ndryshuar këtë gjendje katastrofale ku gjendet Shqipëria sot. Shqipëria është në rënie të lirë, rënie vërtetë të lirë dhe shumë e shumë besojnë se kjo nuk ndalet, shumë shtrojnë pyetjen: si do t’i përgjigjemi kësaj situate. Të gjitha këto janë pyetje të drejta, por përgjigja është: absolutisht ne e ndalim këtë situatë. Ne kemi përgjigjet më të mira për të gjitha këto vendime që po e shkretojnë Shqipërinë”, tha Berisha.
Berisha theksoi se para 2 vitesh një studim i Bankës Botërore tregonte se Shqipëria zinte vendin e tretë në botë për ryshfetin.
“Ju garantoj që sot duhet të jetë vendi i parë me distancë. Ju nuk mund të imagjinoni se si çdo ndërtim pa leje paguhet gjoba policisë, që shkon në 100, 200 mijë sipas ndërtimit. I paguhet tatimeve, i paguhen taksave. Shqiptarët janë në një sistem gjobëvënie të tmerrshme. Unë ju dhashë këtë shembull. Por nëse marrim arsimin, të gjitha format e përçmimit, diskriminimit ndaj arsimtarëve sot janë në fuqi. Po bujqësia, në shkatërrim progresiv. Ne nuk kemi fusha të mëdha, por kemi një potencial të padiskutueshëm bujqësor, në fusha, kodra, kudo”, shtoi ai.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit