Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha ku diskutuan për Reformën Zgjedhore.
Pas takimit në një prononcim për mediet, ambasadorja Yuri Kim e cilësoi “një takim shumë të mirë”. “Diskutimi ynë ishte pafundësisht i vendosur për të ardhmen, jo për të shkuarën dhe veçanërisht folëm për rëndësinë sesi udhëheqësit shqiptarë duhet të përmbushin pritjet e popullit shqiptar, sikurse kanë premtuar për të përfunduar Reformën Zgjedhore deri më 31 maj”, u shpreh Kim.
Ambasadorja Kim theksoi se ky nuk është një afat kohor që e ka vendosur Ambasada e SHBA-së apo ndonjë faktor tjetër i jashtëm. “Ky është një afat kohor që e kanë caktuar mbi veten e tyre vetë udhëheqësit. Për nga përkufizimi, opozita ka një punë shumë të vështirë përpara. Po ndjehem shumë e inkurajuar nga diskutimi që kemi zhvilluar këtë pasdite dhe pres me kënaqësi rezultatet”, u shpreh ambasadorja Kim.
Nga ana e tij, Basha falënderoi ambasadoren Yuri Kim për mbështetjen që i jep Reformës Zgjedhore. “Organizmi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është prioriteti ynë absolut i PD-së dhe i opozitës së bashkuar dhe i gjithë shqiptarëve. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’u garantuar shqiptarëve që t’i drejtohen një orë dhe më parë kutive të votimit dhe të zgjedhin me votën e tyre të lirë të pandikuar nga bandat kriminale, të pandikuar nga shitblerja e votës, të pandikuar nga paratë e korrupsionit. Jemi të vendosur për këtë betejë dhe do bëjmë gjithçka që brenda 31 majit, një afat që ne ia kemi kërkuar dhe vendosur kësaj mazhorance”, u shpreh Basha.
“Do bëjmë gjithçka për të garantuar vullnetin politik për ta zbatuar ligjin, që është dhe problemi numër 1 me zgjedhjet në Shqipëri, në mënyrë që kjo krizë e thellë politike, kushtetuese dhe institucionale të marrë rrugëzgjidhje përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të zgjedhin parlamentin e tyre dhe njëkohësisht Shqipëria të ecë përpara të mos mbahet peng i së shkuarës, por të hapë rrugën e Integrimit Europian dhe anëtarësimit në BE që është dhe mbetet një nga zotimet kryesore, ekzistenciale që nga dita e saj e parë”, tha Basha. /
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI