Nga Etleva XHAJANKA
Media prestigjioze franceze “TV5 Monde”, i ka kushtuar një reportazh të posaçëm ekspozitës me veprat e kryeministrit Edi Rama që u hap ditët e fundit në Athinë. Nën titullin “Arti në shërbim të vëllazërimit”, prestigjiozja “TV5 Monde” citon: Larg nga grindjet, me një ekspozitë simbolike dhe të pazakontë, kryeministri shqiptar Edi Rama ekspozon veprat e tij në Athinë, në krah të shefit të diplomacisë greke, Nikos Dendias, nën kujdesin e veçantë të të cilit organizohet ky event.
“Tani do të flasim për dy vende fqinje, Greqia dhe Shqipëria, vijon më tej reportazhi. Duhet të kthehemi në fund të Luftës së Dytë Botërore për të gjetur gjurmët e konfliktit të fundit të armatosur në kufirin e tyre, por zyrtarisht parlamenti i Athinës nuk e ka shfuqizuar Ligjin e luftës të vendosur në vitin 1940. Pavarësisht kësaj, dy vendet shpalosin sot miqësinë e tyre në këtë event jo të zakontë. Reportazh i korrespondentes sonë në Athinë Angjili Kurni”.
Autori evidenton se, “Zapioni, një monument historik i mbrojtur, në qendër të Athinës, një vend prestigjioz i kthyer në shëtitoren e preferuar të athinasve, të vegjël e të mëdhenj. Sot Zapioni mirëpret një ekspozitë arti, simbolika politike e së cilës është e veçantë, sepse artisti është vetë Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë. I vëmendshëm për detajet, ai merret vetë me vendosjen e veprave me aq shumë ngjyra”.
Reportazhi citon kryeministrin Rama i cili thotë se: “I kam përdorur ngjyrat sikurse përdoren fjalët, për të shprehur një politikë të caktuar. Në fillim ishte akt politik, nuk ishte akt estetik. Boceta, skica, vizatime, Edi Rama pikturon ashtu si të tjerë bëjnë politikë, por për Kryeministrin socialist të dyja janë të lidhura. Ai pikturon mbi raportet e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave, letra, projektligje”.
Rama shprehet se, “është një ushtrim që më ndihmon, në një mënyrë ndryshe, të vendos raportin tim me të tjerët ndërsa thuhen gjëra dhe merren vendime të rëndësishme”.
Duke u ndalur në panoramën e organizimit të këtij eventi, gazetari shkruan se, “Ditën e caktuar gjithçka është gati, diplomatë dhe ministra turren. Shefi i diplomacisë greke Nikos Dendias, nën kujdesin e të cilit organizohet kjo ekspozitë, mbërrin i pari, për të pritur Edi Ramën. Greqia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të mira, por edhe mosmarrëveshje të rëndësishme veçanërisht për sa i përket vijës kufitare në detin Jon. A mund të shërbejë arti si terren i rrugëzgjidhjes? Kjo është sfida e kësaj ekspozite të mbështetur nga kryeministri grek, konservatori Kiriakos Mitsotaqis”.
Me tej citohet edhe kryeministri Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i cili shprehet: “Është kënaqësi e madhe që e kemi Edin në Athinë, sot këtu ka ardhur si artist, jo si Kryeministër”.
Ndërsa, kryeministri Rama thekson: “Është vërtet kënaqësi e madhe, është diçka prekëse, sepse sikurse ua thashë, kur kam ardhur këtu në Greqi në vitin 1991, nuk e imagjinoja kurrë se do të shihja gjithë këtë”.
Ekspozita që do të qëndrojë hapur deri në fund të marsit, është një sukses, nga shumë aspekte.
Teksa në këtë reportazh vjen edhe zëri i vizitorëve, të cilët shprehen se, “ky është rasti për të sjellë brezin tim, që ka jetuar në gjendje lufte me Shqipërinë, në një periudhe paqeje dhe shkëmbimi kulturor”.
“Ligji i luftës është ende në fuqi për grekët, një anakronizëm historik që duhet të zhduket”, përfundon reportazhi.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.