Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u shpreh sot se nuk ka asnjë shkak ligjor për të shtyrë orarin e votimit përtej orës 19:00.
Në një komunikim për mediet, Celibashi sqaroi se nëse do të jenë votues që presin për të votuar në qendrën përkatëse, komisioni i qendrës së votimit duhet të shënojë emrat e tyre dhe duhet t’i lejojë ata të votojnë. “Asnjë tjetër nuk do lejohet pasi të ketë përfunduar votimi përveç atyre që kanë qenë në pritje për të votuar në orën 19:00”, tha ai.
Celibashi theksoi se deri tani përqindja në votime në 4497 qendra votimi që përcjellin të dhëna në kohë reale është 31.42%.
Për sa i përket ecurisë së procesit, Celibashi tha se numri i denoncimeve 29, të bën të besosh se procesi ka shkuar mirë.
“Por duke ndjekur komunikimet dhe të dhënat në medie, ato të lënë të kuptosh se ka probleme. Në vlerësimin tim procesi në tërësi mund të konsiderohet normal dhe anormalitetet e evidentuara nuk mendoj se bëjnë gjithë procesin problematik. Duhet të presim përfundimin e procesit dhe të vlerësojmë gjithë sa ka ndodhur”, tha ai.
Në lidhje me funksionimin e pajisjeve të identifikimit elektronik, Celibashi tha se nëse ka cenuar një interes themelor të ndonjë votuesi apo disa votuesve patjetër që ne njohim gjithë përgjegjësinë. “Nëse kjo ka qenë një çështje që ka ndikuar te ata edhe ndjesën e kemi kërkuar”, tha ai.
Celibashi theksoi se në vlerësimin e tij, impakti i mosfunksionimit të pajisjeve të identifikimit elektronik në procesin zgjedhor është zero.
“Për sa kohë ligjvënësi ka parashikuar se votimi mund të ndërpritet edhe më tepër se 1 orë kjo nuk e bën problematik procesin zgjedhor”, shtoi ai.
Lidhur me denoncimet për thyerjen e heshtjes zgjedhore, Celibashi tha se “është e qartë se kandidatët dhe subjektet zgjedhore e kanë të ndaluar të bëjnë fushatë dhe adresojnë thirrje për mbështetje gjatë ditës së votimit”.
“Nëse janë vetëm ftesa për të marrë pjesë në votim nuk ka problem, por nëse janë ‘më votoni mua jo kundërshtarin’, ato janë të ndaluara nga ligji, ndaj i bëj thirrje kandidatëve ta respektojnë këtë kërkesë të ligjit”, tha Celibashi.

ME SHUME LAJME
Kulturë. Përkthyesi Vangjel Zafirati boton në Greqi antologjinë me poezi bashkohore shqipe “VARGJET QË VRANË POETIN”
Një karrocë fëmijësh për kryeministrat
Policia masa shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore