Nga Shkëlqim HAJNO
Kur flitet për buum të zhvillimeve turistike në rajonin e Sarandës dhe Ksamilit, shumëkush nuk e di se edhe prapatoka e Sarandës ka zhvillimet e saj me turistët e huaj.
Ende në publikun e gjerë nuk është i njohur mirë fakti që fshati Shelegar (bashkia Sarandë) ka vite që akomodon turistë francezë dhe italianë, falë intuitës së një të riu nga ky fshat. Fakti tjetër është që në fshatin Krane, (bashkia Finiq), është krejtësisht e panjohur në qytetin bregdetar jonian dukuria e frekuentimit nga turistë të huaj gjatë kësaj vere.

Nuk janë të vetmit në këtë bashki. Pak vite më parë disa turistë francezë zbuluan Leshnicën e Sipërme falë pasionit të mësuesi vizionar të gjuhës frenge që quhet Thoma Nikuli.
***

Në Krane, një fshat i bekuar nga dora e zotit dhe e banorëve, në vilën “Anastasia” gjatë këtij sezoni veror mund të takosh turistë nga anë të ndryshme të globit si: italianë, polakë, çekë, madje edhe kinezë etj,.


Akomodimi i turistëve të huaj në një fshat si Kranea, rreth 1 km nga kryqëzimi i Urës së Kranese buzë lumit Bistrica, ku akset rrugore këmbejnë vektorët: për Sarandë, Finiq e Tiranë, Qafë Botë e Kakavije; duket se është krejt i panjohur për sarandiotët por sakaq, edhe për vetë banorët e fshatrave të bashkisë Finiq (e përbërë kryesisht nga pakicat etnike greke).
Pyetjes se si e gjetën “eksploratorët” e parë Vilën “Anastasia” buzë rrugës nacionale Sarandë-Krane-Qafë Botë-Igumenicë (Greqi), administratori i Vilës, Spiro Çakuli të tregon:
-Shumë thjesht. Nga bukingu..

-Po ç’gjetën këtu kur mbërritën të parët?
-Gjetën qetësinë dhe zërat e zogjve që pas plazhit, zhurmave të mbrëmjes në qytet dhe stresit të parkimeve, për ta ishte sikur gjetën oazin. Gjetën një pishinë dhe relaks.
Hidhet Anastasia bashkëshortja e Spiros:
– Gjetën edhe ushqimin bio kryesisht me produkte të fshatit…
Është buzëmbrëmje në fushë të Vurgut . Bulkthet e natës dëgjohen pranë. Në oborrin e madh të vilës “Anastasia” po mbërrijnë një nga një me makinat që i parkojnë ngadalë, turistët nga Italia dhe Hollanda.

Një djalosh i ri me mjekër, Maks Lisman Utrecht -nga Hollanda hyn nga porta e oborrit me një qen të zi që e ka nxjerrë shëtitje në lëndinat e Kranesë. Ai na përshëndet anglisht pastaj, me të vetmen fjalë shqip kur ne përkëdhelim qenushin e tij të zi, thotë: “Faleminderit!”
Pastaj në mënyrë pak të zhurmshme dalin një nga një nga dhomat e Vilës grupi i italianëve.
Të sigurt që shqiptarët e dinë pak a shumë gjuhën e tyre, na përshendesin dhe prezantohemi.
Mësojmë se janë tre miq me familjet e tyre. David e Bedini Piombino dhe Susanna.
Davide na prezanton vajzën e cila duket se ështe kënaqur nga mjedisi i paqtë që e rrethon:
-Vajza ime, Giorgia! 14 vjeç.
-Giorgia Meloni..-hidhet dikush nga ne vizitorët e mbrëmjes.
Italiani që e di për pushimet e kryeministres së tij në Vlorë, thotë me humor:
-Si, si! -dhe e puth vajzën në kokë
-Kam një ftesë për të gjithë ju-na drejtohet italiani.
-.Ne largohemi nesër të kënaqur për në Itali dhe sot, do të respektojmë traditë e krijuar te Vila “Anastasia”. Sot, ne italianët do të bëjmë darkën e përcjelljes dhe ju, jeni të ftuar!
***
Shqiptaërt kanë një sens të habitshëm imitimi dhe gare. Ndoshta kjo është genetike.
Pak ditë më parë ishim në Labovën e Kryqit te Vila “Maria”, dhjetë çapa nga Kisha e famshme me Kryqin e artë si në legjendë. Frekuentimi po ndodh nga shumë turistë të huaj më tepër, po edhe vendas, tek-tuk. Pamë përreth dhe konstatuam se në disa objekte gjer atëhere të braktisura, po punohej me vrull për t’i shndërruar në bujtina.
-Si jeni me xhelozinë në Krane?-pyesim Spiron.
-Do nisin punën si ju edhe të tjerë?
-Prite kur t’ia bëjë “bam” me të parët pas nesh-rrëfen Çakuli i Kranesë në Vilën “Anastasia” në bashkinë minoritare të Finiqit, që nuk ka dalje në det por ndodhet vetëm pak kilometra nga magjia e blusë së thellë të detit Jon.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.