Fiks Fare denoncoi një masakër mjedisore në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë turistike, Ksamilin e Sarandës. Tonelata me inerte janë hedhur për disa muaj me radhë brenda Liqenit të Butrintit, një zonë e mbrojtur. Megjithëse institucionet shtetërore e konstatuan që në muajin mars 2023, para fushatës dhe zgjedhjeve lokale 2023, sërish personat apo firmat (e paidentifikuara) vijuan të hedhin inerte, duke tentuar të rrethojnë vendin ku u hodhën këto inerte brenda në liqen.
Disa ditë më parë, në redaksinë e emisionit “Fiks Fare”mbërritën informacione për hedhjen e këtyre inerteve të rënda brenda Liqenit të Butrintit. Kamera e Fiksit filmoi inertet e hedhura në vendin e quajtur Pallavraq. Dikur, zona kishte qenë liqenore, ndërsa sot me tonelata me inerte. Nga një krahasim i hartave të vitit 2010 me atë aktuale (nga google earth dhe google maps) rezulton se vendi ku ishin hedhur këto inerte, disa muaj më parë ka qenë zonë ujore, bregu i Liqenit të Butrintit. Ndërsa sot, gurë të mëdhenj, mbetje të liqenit, dhera janë hedhur atje dhe çuditërisht askush nuk është identifikuar.
Ndërkohë, sikur të mos mjaftonte hedhja e inerteve, autorët kanë tentuar që këtë vend ta rrethonin. Ata kanë filluar një mur me gur, për të rrethuar të gjithë bregun e Liqenit, për ta shndërruar më pas në ndonjë bar, restorant, hotel apo resort.
Pas këtij konstatimi, gazetarët e emisionit investigativ shkuan te Njësia Administrative Ksamil. Administratorja e re u thotë se “s’kam dijeni”. Më pas, administratorja lajmërojën Policinë Bashkiake. Pas disa minutash, te Njësia shkoi një patrullë e kësaj policie, të cilën gazetarët e shoqëruan te vendi që ishin hedhur inertet.
Bashkë me policinë bashkiake, në atë vend shkon edhe një Inspektor i Mbrojtjes së Territorit (IMT-ja) nga Bashkia e Sarandës. Inspektori i IMT-së thotë se ka dy muaj në punë dhe ka bërë një akt konstatimi në fillim të muajit gusht 2023 për ngritjen e murit. Por, gjithmonë pa autor! Gazetarët e pyesin se si ka mundësi që janë hedhur një sasi e madhe inertesh në Liqen dhe askush s’i ka parë?! Madje, rferimet apo konstatimet gjithmonë kanë qenë pa autor. Inspektori përgjigjet se po bën disa javë në punë dhe ato janë hedhur më përpara. Nuk pranon të japë intervistë aty, por pohon se do të flasë shefi te Bashkia e Sarandës.
Gazetarët shkojnë te Bashkia e Sarandës, takojmë kreun e IMT-së. Edhe kryeinspektori pohon se kanë bërë konstatime edhe në të kaluarën për inertet, por gjithmonë pa autor. Sipas IMT-së, inertet janë hedhur në muajin mars e prill 2023 (përkon me situatën para zgjedhjeve lokale). Pohon se janë bërë disa referime në polici e prokurori, por s’kanë gjetur autor. Në lidhje me murin thotë se është konstatuar në muajin gusht (sërish pa autor).///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit