Nga Maela MARINI
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se shqiptarët dhe grekët janë dy popuj që ngjajnë si dy pika uji, ndërsa theksoi se nuk duhet të harrojmë asnjëherë se çka ndonjëherë na ndan nuk e vlen kurrë atë që përjetësisht na bashkon.
Kryeministri Rama mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar në Derviçan me rastin e përurimit të bustit të ish-kryeministrit të Greqisë, Konstantinos Mitsotakis.
Rama tha se “fatkeqësisht, hera-herës politika elektorale me nevojat e saj jo domethënëse për fatet e vendeve dhe popujve tanë, trazon dhe rrjedhën e natyrshme të vëllazërisë të plazmuar qysh në lindjen e kohërave mes fqinjëve si Shqipëria dhe Greqia”.
“Por janë gjëra që kalojnë edhe pse do të ishte mirë që të mos ndodhnin, siç mirë do të ishte të mos ndodhin por herë më lehtë dhe herë më vështirë kalojnë edhe sherret dhe keqkuptimet mes vëllezërish që jetojnë në shtëpi të ndryshme. E sigurt është që në rrjedhën e jetëve të sotme demokratike trazimet dhe keqkuptimet jo vetëm kalojnë, por edhe bëjnë më të fortë kuptimin e lidhjes së pandashme mes të dy popujve dhe vendeve tona për të cilën edhe dy kundërshtarët e paepur, Konstantinos Mitsotakis dhe Andreas Papandreu jo vetëm kishin të njëjtën bindje por edhe po njësoj bënë gjithçka mundën në kohën e shkurtër kur patën pushtet në dispozicion, kur Shqipëria sapo doli nga izolimi”, tha Rama.
“Unë nuk e di nëse kryeministri Konstantinos Mitsotakis po na sheh e po na dëgjon nga atje lart. Më pëlqen të mendoj se edhe dielli që u shfaq është buzëqeshja e tij, një burrështetas besnik i bindjeve të veta i cili jetoi thuajse 100 vjet me gatishmërinë e pagesës së çdo çmimi për të mos i tradhtuar bindjet e tij”, shtoi ai.
Rama uroi që Shqipëria e Greqia të kenë më shumë burra e gra të ngjashëm me njeriun në këtë bust.
“Dhe që ky bust t’u shërbejë brezave për të mso e harruar asnjëherë se çka ndonjëherë na ndan nuk e vlen kurrë atë që përjetësisht na bashkon: ne shqiptarët dhe grekët, si dy popuj që ngjajmë si dy pika uji”, shtoi ai.///
ME SHUME LAJME
Sot 5 maji, Dita e Dëshmorëve
“Chase Travel”: Riviera Shqiptare, destinacioni më “hot” i verës 2026
Lumi Vjosa, rritet interesi për rafting gjatë sezonit pranveror