Agjencia e Kombeve të Bashkuara për trashëgiminë botërore, UNESCO tha në një raport për Parkun më të njohur Kombëtar në Shqipëri, Butrintin, se vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet për menaxhimim e integruar të Butrintit dhe u rekomandon autoriteteve shqiptare që Ministria e Kulturës të ruajë autoritetin tërësor të kësaj pasurie botërore dhe jo vetëm të një pjese të saj.
Çështja e menaxhimit të Parkut të Butrintit është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila në një gjest të pazakontë, ditë më parë, bëri një ndryshim të procedurave të saj, duke i kërkuar qeverisë raportin e UNESCO-s. Raporti i UNESCO-s është përgatitut në tetor të vitit të kaluar, por qeveria shqiptare nuk kishte dhënë pëlqimin e saj që ai të bëhej publik.
Zëri i Amerikës, e siguroi raportin pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në bazë të ligjit për të drejtën e informimit. Raporti i UNESCO-ICOMOS ngre shqetësim të thellë për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 600 hektarëve ku në një pjesë po ndërtohet aktualisht një resort dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë me urgjencë në UNESCO një plan të qartë masash për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Raporti i përbashkët i UNESCO-ICOMOS, dërguar tek autoritetet shqiptare tetorin e vitit 2023 paraqet kritika të forta për rishikimin e kufijve të Parkut Kombëtare të Butrintit pa venë në dijeni UNESCO-n dhe për mos sigurimin e menaxhimit të integruar të Butrintit, siç kanë kërkuar misionet e mëparshme të organizatës botërore që kanë monitoruar Butrintin.
Misioni i Unescos thotë në raport se se “ përveç krijimit të Fondacionit të ri të Menaxhimit të Butrintit, asnjë propozim tjetër për sigurimin e zbatimit të Planit të Menaxhimit nuk u prezantua gjatë misionit nga autoritetet shqiptare”. “Vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet e misioneve të mëparshme, të Komiteti i Trashëgimisë Botërore dhe vetë Planit të menaxhimit për një menaxhim të integruar të Butritnit, thuhet në raport.//VOA///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI