SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Ministri Sander Lleshaj në Finiq: Përforcojmë kapacitetet teknike në shërbim të rendit dhe të sigurisë së banorëve

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj vizitoi te shtunen Finiqin, ku gjatë një bashkëbisedimi me  banorët e kësaj bashkie theksoi se “minoritetet janë ai element, ajo urë e cila vendos, në rastin tonë midis popullit shqiptar dhe popullit grek. Ata popullojnë këtë gadishull që kur ka lindur koha”.

Në fjalën e tij, Lleshaj u shpreh se “përgjatë kësaj historie regjistrojnë në marrëdhënien e tyre gjëra pozitive, marrëdhënie miqësore, bashkëjetesë shembullore edhe për shumë kombe dhe marrëdhënie të tjera fqinjësore”.

“Për herë kam qenë dhe jam optimist që kjo marrëdhënie nuk mund të cenohet edhe sikur ne të punojmë kundër saj, janë vetë popujt tanë, të cilët e kanë ndërtuar marrëdhënien. Marrëdhënien e ndërtojnë popujt dhe jo qeveria”, – tha Lleshaj.

Ministri Lleshaj u shpreh se “i kam ndjekur edhe rastet e shkëputura, për fat të keq të tendencave për të fryrë gjëra që realisht janë të vogla. Por besoj që pjekuria jonë si qytetarë europianë është e tillë saqë ne do të jemi në gjendje për t’i margjinalizuar dhe për t’u treguar vendin të gjithë atyre që tentojnë të helmatisin këtë marrëdhënie”.

“Është fat që tashmë ka një bashki edhe këtu në Finiq, që këto minoritete të kenë institucione, të kenë një zë në jetën politike e shoqërore të vendit. Ne duhet të bëjmë përpjekje që kësaj Bashkie t’i japim jetë, t’i japim energji, t’i japim mbështetje në mënyrë që të konsolidohet, sepse është bashki e re, të cilës i mungojnë shumë gjëra dhe duhet së bashku t’i japim mundësi”, – nënvizoi Lleshaj.

Ministri Lleshaj tha se “i kam ndjekur me shumë shqetësim, rastet dhe raportimet për akte kriminale, të cilat fokusohen kryesisht tek vjedhjet, tek dhunimi i banesave, etj., të cilat në gjuhën e Policisë konsiderohen si krime të vogla. Por në thelb për mua janë krime të mëdha, për arsye se prodhojnë pasoja shumë të mëdha. Jo vetëm të karakterit ekonomik, por pasoja të mëdha shkaktojnë në nivelin psikologjik, trauma, njerëzit ndihen të dhunuar”.

“Ngelet sfida jonë e përbashkët, e komunitetit, e Policisë, e organeve vendore, edhe e Ministrisë, edhe të gjithë strukturave të tjera për ta adresuar këtë fenomen me seriozitet të madh me vendosmëri të lartë në mënyrë që të bëjmë të mundur që të goditet dhe të harrohet si fenomen. Ne duhet të ndryshojmë qasjen në shumë aspekte. Së pari, do të forcojmë kapacitetet e strukturave lokale të Policisë, qoftë në pikëpamje njerëzore, qoftë në mënyrën e organizimit, qoftë në mënyrën e trajnimit në nivelin e pajisjes dhe në nivelin e mbështetjes nga lart. Kjo me qëllim që strukturat këtu të Policisë të jenë eficente”, – shtoi Lleshaj.///

error: