Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kujtuar sot përvjetorin e revoltës së Spaçit, ku megjithëse nën terror e të rrethuar me tela me gjemba, të burgosurit nga diktatura kryen një akt të paimagjinueshëm guximi duke u ngritur në revoltë e që drodhi themelet e regjimit.
Në postimin e tij, kreu i PD thotë se, “edhe pse s’ka shpagim të plotë për vuajtje dhe sakrifica të tilla, fatkeqësisht pas rënies së regjimit komunist nuk u bë mjaftueshëm për të përndjekurit dhe familjet e tyre”. Sipas Bashës, ajo që do të bëjë PD është njohja e pjesës së përgjegjësisë së shtetit për ferrin në të cilin janë detyruar të kalojnë, duke marrë fund një herë e mirë kalvari i dëmshpërblimit ekonomik të drejtë për vuajtjet e tyre.
“Ndonëse Shqipëria ishte një kamp i madh i rrethuar me tela me gjemba, 51 vite më parë, në një akt të paimagjinueshëm guximi revolta e Spaçit e dridhi regjimin e Tiranës. Burrat që u ngritën kundër diktaturës gjakatare në një prej burgjeve më famëkeqe komuniste, ishin të vetmit njerëz të lirë në një Shqipëri të robëruar. Revolta e Spaçit është përjetësuar në histori si monument i qëndresës dhe trimërisë përkundër terrorit të pashembullt”, u shpreh Basha në një postim.
Kreu i PD shprehu mirënjohje dhe lavdi përjetë heronjve të Revoltës së Spaçit.
“Edhe pse s’ka shpagim të plotë për vuajtje dhe sakrifica të tilla, fatkeqësisht pas rënies së regjimit komunist nuk u bë mjaftueshëm për të përndjekurit dhe familjet e tyre. Ndaj ajo që do të bëjmë është të njohim pjesën e përgjegjësisë së shtetit për ferrin në të cilin janë detyruar të kalojnë, duke marrë fund një herë e mirë kalvari i dëmshpërblimit ekonomik të drejtë për vuajtjet e tyre”, theksoi Basha. “Po kaq e rëndësishme është puna e madhe dhe e vonuar me kast për përjetësimin e kujtesës historike. Burgu i Spaçit është dëshmi therëse e kalvarit të vuajtjeve dhe persekutimit çnjerëzor, është golgota e torturës dhe terrorit të mijëra të burgosurve politikë dhe familjeve të tyre. Ky monument i trashëgimisë historike vendi simbol dhe eponim i dhunimit të lirive dhe të drejtave themelore, njëkohësisht simbol i qëndresës e revoltës në ditët më të errëta të regjimit komunist, duhet të marrë vendin që i përket”, shtoi Basha.
Sipas tij, “është i papranueshëm plani për ngritjen e një instalacioni artificial larg vendit të memories duke e shndërruar burgun e Spaçit në një aneks, duke shkaktuar humbjen graduale të interesit mbi vlerat e tij si trashëgimi historike, si një vend memorie e dëshmisë së gjallë, si një moment reflektimi dhe përballje emocionale me të vërtetën, e për rrjedhojë degradimin e plotë të tij në harkun e pak viteve”.
Basha theksoi se, “në nderim të kujtesës të atyre që nuk jetojnë, të atyre që kemi mes nesh, dhe për hir të brezave të ardhshëm, Partia Demokratike e Shqipërisë, i ka propozuar në Kuvendin e Shqipërisë shpalljen Muze Kombëtar të Kampeve të Spaçit dhe Tepelenës”. “Rishikimi i teksteve shkollore dhe pelegrinazhi i brezave të rinj në vendet simbol të terrorit dhe persekutimit komunist janë investime të domosdoshme të shoqërisë dhe shtetit shqiptar për të mos harruar dhe mos përsëritur kurrë më tragjeditë e të shkuarës së errët të diktaturës”, u shpreh Basha.(Gjergji MIMA)///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.