Kalaja e Gjirokastrës është një ndalesë e përhershme për vizitorët e qytetit të gurtë. Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kështjella, vizitorët vendas e të huaj e konsiderojnë monumentin më të preferuar për të qenë në listën e vendeve për t’u parë.
Statistikat e publikuara së fundmi nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, flasin qartazi për këtë preferencë. Numri i vizitorëve në Kalanë e Gjirokastrës për muajin maj arriti në 31,665 vizitorë. Krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, kjo shifër rezulon 59% më e lartë, ose 11,751 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2023. Ndërsa krahasuar me muajin maj të vitit 2022 u regjistruan 21, 775 vizitorë më shumë.
Kalaja është simboli i qytetit të Gjirokastrës, i cili përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.
Mjediset e Kalasë kanë shërbyer edhe për organizimin e koncerteve, spektakleve dhe panaireve të ndryshëm kulturorë. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.///

ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI