SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Tuneli i Llogorasë hapet sot, Balluku: Këtë vit pa pagesë

 22 muaj pas nisjes së punimeve, sot tuneli i LLogorasë, 5.9 km i gjatë, do të jetë i kalueshëm.

Ky tunel, fillimin e tij e ka 500 metra larg urës së Shën Elizës, që është pjesë e rrugës Orikum-Dukat. Vepra ka një gjatësi totale prej 7.42 kilometra.

Tuneli i Llogorasë përbëhet nga dy tunele, tuneli kryesor dhe ai i emergjencës. Si tuneli kryesor, ashtu edhe ai i emergjencës, kanë 11 tunele lidhëse me njëri-tjetrin në gjithë gjatësinë e tyre. Thellësia e vijës së projektit të tunelit është 1 kilometër nga sipërfaqja e tokës.

Tuneli i Llogorasë do ketë një shpejtësi rreth 80 km në orë. Ai shkurton distancën nga Dukati në Palasë nga 40-45 minuta në vetëm 7-8 minuta. Ky investim shkurton rrugën për udhëtarët nga Vlora në Palasë që nëse dikur bëhej për 1 orë, tashmë ajo do realizohet për 20 minuta.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi atë pjesë e krenarisë së të gjithë gjerdanit të infrastrukturës.

Në një intervistë televizive, nga brendësia e tij, Balluku tha se tuneli do të hapet përgjatë këtij sezoni veror dhe se kalimi do të bëhet pa pagesë këtë vit, pasi puna do të rifillojë sërish në shtator për të qenë gati në 2025-ën.

“Tuneli i Llogorasë është një vepër me pagesë, pasi do të ketë një mirëmbajtje me kosto të larta. Përllogaritet diku të 5 euro, por bëhet fjalë për vitin e ardhshëm, jo për këtë vit”, tha ajo.

Zv.kryeministrja ju përgjigj edhe akuzave të opozitës për koston e ndërtimit të infrastrukturës rrugore, teksa përcolli shifra krahasuese të vendeve të rajonit. Sipas saj, akuzat e opozitës se kostot e ndërtimit në infrastrukturën rrugore në Shqipëri janë më të lartat, janë tërësisht politike.

“E kuptoj që i është dashur politikës ta përdorë këtë akuzë. Më është dashur të përballem shpesh me këtë akuzë në Parlament. Në Maqedoninë e Veriut, po ndërtohet segmenti Tetovë-Bitola, pjesë e Korridorit të 8-të, me gjatësi 110 km, dhe kosto në total shkon 1.3 miliardë euro. Kosto për km është 11.8 milionë euro. Në Serbi po ndërtohet segmenti Nish- Ploçnik 33 km dhe kosto është 255 milionë euro. Kosto për km shkon 7.7 milionë euro. Në Malin e Zi po ndërtohet segmenti Bar-Boljare, pjesë e autostratës adriatiko-joniane me gjatësi 41 km me kosto totale 1 miliard euro dhe kosto për km shkon 24 milionë euro. Bosnja po ndërton autostradën e kategorisë “A”, Monstar Veri-Monstar Jug me gjatësi 14.2 dhe ka kushtuar 433 milionë euro, ose 39.49 milionë euro për km. Ka një tunel me gjatësi 2 km. Dua të them se kosto e kilometrit apo një vepre nuk mund të krahasohet apo varet sa kushton një rrugë në këtë vend, më pak apo më shumë nga një vend tjetër, pasi gjeologjia mund të ndryshojë edhe në një kilometër”, tha Balluku.(Arlinda Gjonaj-ATSH)///

error: