Vangjel Tavo, aktualisht prefekt i Qarkut të Vlorës, është votuar nga kryesia e Partisë Socialiste si kandidat për zgjedhjet e parakohshme në bashkinë e Himarës, të cilat do të mbahen më 4 gusht. Mbledhja e kryesisë, e cila nuk zgjati më shumë se 30 minuta, nisi rreth orës 8 e 30 të mëngjesit të sotëm (8 korrik), ndërsa i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama. Për mediat foli kreu i grupit parlamentar të PS-së, Blendi Klosi, i cili vlerësoi figurën e Tavos, ndërsa tha se do të ketë një garë elektorale të qetë.
‘Vjen si një figurë e njohur politike, njohës i asaj zone, i asaj krahine. Garat elektorale e kanë përgatitur atë që të jetë përfaqësues i atij komuniteti. 4 gushti është shumë afër. Do të kemi një garë të qetë elektorale. Shkojmë për të pasur një rezultat pozitiv.’- u shpreh Blendi Klosi, kreu i grupit të PS-së.
Emri i Tavos u lakua edhe në fillim të këtij viti, si kandidat i socialistëve për bashkinë e Himarës. Me 13 mars Vangjel Tavo u emërua prefekt i qarkut të Vlorës, ndërsa më herë ka më herët ka qenë deputet i LSI (sot PL) dhe ministër i Shëndetësisë (2012-2013). Nga ana tjetër kongresi i Partisë Socialiste i cili ishte parashikuar që të mbahej në datë 20 korrik, është shtyrë dhe do të mbahet me datë 27 korrik.
Ndërkohë opozita ende nuk e ka qartësuar se si do të përzgjedhë kandidatin, pasi ajo kritikon Begaj-n se shpalli në kundërshtim me Kodin Zgjedhor datën e zgjedhjeve. Një nga emrat që përflitet është djali i Fredi Belerit, Petro Beleri, i cili ka shprehur vetë dëshirën për të kandiduar. Megjithatë Vangjel Dule, thotë se ende s’ka vendimarrje, por kushdo emër që do të zgjidhet nga radhët e opozitës do të mundë kandidatin e Ramës.
KQZ vendosi dje heqjen e mandatit të Belerit si kryebashkiak i Himarës, pas dënimit të tij me 2 vite burg nga Apeli i GJKKO për korrupsion zgjedhor. Menjëherë Presidenti Begaj dekretoi 4 gushtin si datë për zgjedhjet e reja në Himarë.(Shqiptarja).///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI