Deputetja Flutura Açka ka deklaruar sot se ka dhënë dorëheqjen nga Drejtimi i Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik dhe largimin nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.
Në një postimi në rrjetet sociale, Açka shprehet se nuk dëshiron të bëj sehir minën ndaj demokracisë, ndaj për këtë arsye largohet nga Grupi i PD.
Deputetja Açka thekson se sulmet e fshehta dhe të hapura ndaj saj nuk kanë reshtur dhe është e detyruar të mos e pranoj më gjendjen e pashëndetshme të krijuar nga presionet politike rreth saj.
“Edhe pse në këto kushte të padrejta, jam përpjekur të përmbush detyrimin tim kushtetues në mbarëvajtjen e punës së Komisionit Parlamentar që drejtoj. Ndaj, në respekt të çdo demokrati të ndershëm që kam njohur në jetën time dhe në detyrim të idealeve për të cilat u themelua Partia Demokratike në kapërcyell të 90’tës, jam e detyruar të mos e pranoj më gjendjen e pashëndetshme të krijuar nga presionet politike rreth meje”, thekson Açka në letrën drejtuar Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.
“Që të mos jem më pjesë e alibisë së shkatërrimit të Opozitës, të cilën e ndanë dhe e shqyen para syve tanë personazhe me etje të pangopur politike; Që të mos hesht përballë minimit që po i ndodh demokracisë shqiptare nga bashkëpunimi me pushtetin dhe në dëm të interesave demokrate e kombëtare, të një grupi të vogël opozitar me parime qokash dhe moral të dyshimtë politik; Që të shfaq qartë dhe e pandikuar para demokratëve, votuesve dhe shqiptarëve – të cilët ende besojnë te politika e pastër – aksionin tim personal si opozitare ndaj kundërshtarit tonë të përbashkët politik, pa u ndikuar nga fryma që ka kapluar tashmë prej vitesh Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike; Që të mos hesht përballë intrigave e makinacioneve të paprincip të personave të caktuar në Opozitë, të cilët, me betejat e tyre të rreme, e kanë diskretituar shpesh aksionin opozitar; deklaroj nga sot dorëheqjen time si Kryetare e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik dhe largimin nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike”, përfundon Flutura Açka.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI