Kryeministri Edi Rama sqaroi sot idenë e krijimit të një shteti bektashi.
I ftuar në një studio televizive, Rama u shpreh se “kjo është një ide konkrete dhe një ide shumë pozitive për Shqipërinë, shqiptarinë, kulturën dhe traditën shqiptare dhe pozicionin tonë në hartën më të madhe të kontinentit dhe botës”.
“Po i referohem historisë dhe rolit që kanë bektashinjtë në historinë tonë dhe çfarë fenomeni kulturor janë bektashinjtë. Ky është një thesar i trashëgimisë tonë kulturore që rrezikon të zhduket sepse është një komunitet që e ka qendrën botërore në Shqipëri”, tha Rama.
Duke folur për dobinë kombëtare të kësaj ideje, Rama tha se është diçka që duhet shpjeguar pasi ka keqkuptime.
“Kjo nuk është një gjë që jam i vendosur unë dhe e kam unë në dorë. Po ta kisha në dorë do ta kisha bërë. Por kjo është një gjë që duhet të diskutohet, duhet shpjeguar. Qendra botërore është këtu dhe sot nuk funksionon si e tillë. Ky është një komunitet i cili ndryshe nga komunitetet e tjera fetare nuk i përket një bashkësie globale, si në rastin e mylismanëve apo katolikëve e ortodoksëve. Ndërkohë që ky është një thesar shqiptar, një komunitet shumë i veçantë dhe dhënia e një statusi të veçantë këtij komuniteti, një juridiksioni sovran është ngritje në një tjetër lloj piedestali të një thesari të kulturës shqiptare”, tha Rama.
Rama sqaroi se bëhet fjalë për të njëjtin perimetër brenda mureve të së cilit sot është Kryegjyshata.
“Brenda atij perimetri jepet një juridiksion i posaçëm dhe ai entitet aty në një juridiksion të posaçëm nuk është një shtet në kuptimin që vendos taksa, ka policinë, ushtrinë etj. Të gjitha këto janë funksione të territorit të Republikës së Shqipërisë. Por është një entitet me një imunitet diplomatik, përfaqësim diplomatik. Në njëfarë mënyre është një mikro- Vatikan që funksionon për komunitetin bektashi, por që është i hapur për të tërë”, tha Rama.
Sipas tij, “vetëm efekti ekonomik i kësaj lëvizje për shqiptarët është i pallogaritshëm”.
“Çdo shqiptar që ka respekt për historinë, vlerat e kontributet në histori për gjithë diversitetin e kësaj bashkësie shqiptare duhet ta shikojë këtë si një gjë që është vetëm vlerë e shtuar, nuk ka asnjë lloj risku, dëmi etj”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se procesi ka nisur përderisa kanë nisur diskutimet, ndërsa sqaroi se neni i parë i Kushtetutës të cilit i referohen disa që kundërshtojnë idenë flet për Republikën e Shqipërisë si një shtet unitar. “Domethënë nuk është shtet federal si në rastin e Gjermanisë”, tha Rama.(Maela Marini)///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade
Rregullat për plazhet. Zbardhet kontrata e re, gjoba deri në 400 mijë lekë dhe rastet kur prishet kontrata