Nga Selim BELORTAJA
Përkufizimi i “njeriut intelektual” mbetet një diskutim sa interesant aq edhe ..i pazgjidhur! Siç mbetet edhe një fushë e hapur spekullimesh. Përdorimi abuziv i termit shpërthen sidomos në kohë fushatash zgjedhore. Nuk di dhe s’kam për ta marrë vesh kurrë pse udhëheqësit rreken kaq lodhshëm që kandidatin e tyre ta paraqesin medoemos si …intelektual! Kur njeriu i mirë që do të shërbejë komunitetin mund ti takojë
niveleve nga më të ndryshmet. Mund edhe të mos jetë ..intelektual (në kuptimin që përdoret! Vjen pastaj “elita intelektuale” -një filtër tjetër që të çon më lart akoma në shkallaren e intektualizmës. E në fund, gradën më të lartë e mban ai që thirret ..”intelektual i shquar”! Ne siç dihet s’e kemi problem t’i përdorim pa kursim të tre nivelet! Bile titulli “intelektual i shquar” përdoret edhe më dëndur se sa ..intelektual i thjeshtë!
Po ç’janë në fakt e çduhet të jenë tiparet e këtij tipi para se ta thërresim e prezantojmë si ..intelektual? Kritere fikse nuk ka e as mund të gjenden. Dikush konsideron të tillë mbajtësin e diplomave, e çertifikatave akademike, titujt e gradat shkencore; dikush kualifikon vetëm shkollimet e kurset jashtë vendit, dikush sheh shkrimet e librat e botuara (numurin, se për cilësinë as që pyet njeri), dikush faktin që personi del në TV-ra bile ka një vend të përhershëm në tryezat e ripërtypjes së debatit, etj etj. Shikohen madje dhe tipare krejt të jashtme si mbajtja e syzeve, pirja e njëpasnjëshme e dy kafeve, përdorimi i dendur i fjalëve të huaja, etj etj.
Me ç’kam parë e dëgjuar por edhe nga ç’më thotë mendja ime, tipari thelbësor që e dallon intelektualin nga qytetari mesatar mund të përblidhet në këto 3 pika:
– shpirti i së vërtetës, kërkimi i parreshtur i saj, refuzimi dhe përqeshja e tabuve, klisheve dhe slloganeve që i ofrohen të gatëshme, dyshimi e marrja me rezervë e çdo gjëje që i serviret si “drejtë”, “e saktë” dhe “e vetëkuptueshme”,
– ndjeshmëria e lartë ndaj interesit (dëmit apo dobisë) publike apo kombëtare
– Vetëinformimi dhe zotësia për t’i lexuar e kuptuar teknikisht thellë zhvillimet: çfarë po ndodh e pse po ndodh?
– Kurajua për ti thënë gjërat dhe sidomos për ..të vepruar, në mbrojtje të parimeve më sipër. Gadishmëria për të sakrifikuar interesin e vet të ngushtë për diçka të madhe e parimore.
Me këto kritere përmbytja e madhe “intelektuale” që na rrethon kuptohet që do të reduktohej në ..një vijë uji modeste, por ama krejt e kulluar dhe …shumë më e vlefshme!///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI