SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Aeroporti i Vlorës, hapen aplikimet për punësim për 100 vende të lira.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës po kryhen përgatitjet e fundit për nisjen e punës dhe për këtë arsye është në kërkim të stafit që pritet të punësohet në 100 pozicione të ndryshme të aviacionit në këtë aeroport.

Kryeministri Edi Rama, sot në një postim në rrjetet sociale thekson se Vlora International Airport ka çelur dyert për profesionistët e aviacionit.

“Nisin punësimet për t’i dhënë jetë aeroportit më të ri në Europë. Vizitoni faqen e VIA dhe aplikoni për t’u bërë pjesë e historisë së aviacionit shqiptar human.resources@vlora-airport.com”, shkruan Rama.

Zëvendëskryeministrja e njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka bërë me dije se bëhet fjalë për 100 vende të lira pune në pozicione të ndryshme.

Punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës kanë ecur paralelisht për përfundimin e pistës, ngritjen e terminalit, kullës së vrojtimit dhe të gjithë infrastrukturës tjetër aeroportuale.

Fluturimet e para projektohen të bëhen në verën e vitit 2025. Punimet për aeroportin e Vlorës nisën në fund të vitit 2021.

Me një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3,2 km dhe me një investim prej 104 milionë eurosh, porta ajrore e jugut synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës dhe veçanërisht turizmit në vend.

Aeroporti ka një pistë të dizenjuar për avionë 4E, që janë avionë me trup të gjerë, airbus 330-340, apo Boeing 777 që janë të përshtatshëm për t’u akomoduar në këtë aeroport.

Një nga rrugët lidhëse paralele me pistën është me të njëjtën gjatësi si ajo 3,2 km dhe do të garantojë kapacitet më të lartë të lëvizjes së avionëve në zonën e manovrimit.

Aeroporti i tretë në vend, i vendosur vetëm 10 km në veri të qytetit të Vlorës, do t’u japë njerëzve akses në të gjithë bregdetin jugor dhe Rivierën shqiptare. Ky aeroport do të jetë një mundësi më shumë për turistët e huaj, për të aksesuar bregdetin e mrekullueshëm të jugut, por edhe një urë lidhëse e re e Shqipërisë me vendet e tjera.(Ermira ISUFI)///

error: