Nga Ardit RADA
Turma do gjak dhe ky është një instinkt i shoqërisë sonë: ne i japim prioritet sensacionit mbi racionalitetin. Ne duam dhunë, skandale dhe ndëshkime spektakolare, dhe sa më shpejt të jetë e mundur; dhe këto i duam më shumë sesa proceset e gjata dhe të mërzitshme të drejtësisë.
Fakti që prokuroria gëzon më shumë besim se gjykata, është një simptomë e një populli që nuk kërkon drejtësi, por shpagim. Sepse prokuroria shihet si institucioni që nis ndëshkimin, që akuzon dhe premton “gjak”, ndërsa gjykata, duke zbatuar parimet e drejtësisë, shpesh zhgënjen pritshmërinë e turmës, duke liruar ose dënuar më pak se ç’pritet.
Në fakt, në rastin tonë, pra në Shqipëri, (siç edhe po diskutohet këto ditë nëpër studiot televizive) kur thua SPAK/Prokurori, ke thënë edhe Gjykatë. Por, nuk janë dhe nuk duhet të jenë e njëjta gjë.
Ama, shoqëritë që kërkojnë “drejtësi” të menjëhershme, përmes ndëshkimit publik, rrezikojnë të përfundojnë duke legjitimuar autoritarizmin dhe gjyqet e montuara (kujto rastin Veliaj). Kur drejtësia shndërrohet në spektakël dhe publiku nuk pranon procesin e duhur ligjor, atëherë rrezikojmë që edhe vetë akuzuesit e sotëm të bëhen viktimat e nesërme të një sistemi që nuk kërkon të vërtetën, por vetëm viktima të reja për të mbajtur të kënaqur etjen kolektive për “gjak”.
Në finale, nëse prokuroria është më e besuar se gjykata, kjo tregon një krizë besimi në shtetin e së drejtës. Sepse në një shoqëri të shëndetshme, gjykimi duhet të mbizotërojë mbi akuzën – përndryshe, i hapet rruga arbitraritetit dhe drejtësisë së turmës. Dhe kjo nuk është normale dhe as ajo që presim nga drejtësia e re./JavaNews.al///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI