Si sot 34 vite më parë do të shënohej një nga momentet që la gjurmë të pashlyera në jetën e mijëra familjeve shqiptare, por edhe në rrjedhën e ngjarjeve historike të vendit.
Më 8 gusht të vitit 1991, mbi 20 mijë shqiptarë u nisën nga porti i Durrësit me destinacion Barin e Italisë, me aspiratën për të pasur një jetë më të mirë e për të gëzuar të njëjtat të drejta si gjithë qytetarët evropianë.
Udhëtimi drejt Barit u krye me anijen e mallrave “Vlora”, duke u konsideruar si simboli i ‘eksodit biblik’ të shqiptarëve, të cilët pas rënies së diktaturës dhe të motivuar nga liria e rifituar u drejtuan në kërkim të botës së ëndërruar përmes ekranit të televizorit, për të siguruar mirëqenien e munguar.
Ky moment bardhezi është i fiksuar në celuloid nga fotoreporterët e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), foto nga arkiva e institucionit që dëshmojnë dhe përcjellin emocione të forta duke gdhendur në kujtesë një nga episodet dramatike të shqiptarëve.
Përmes objektivit të aparatit të ATSH-së, anija tregtare “Vlora” do të kthehej në simbol të ëndrrës së shqiptarëve drejt Evropës, ku qytetarë nga të gjitha qytetet e vendit do të thyenin barrierat dhe frikën për të marrë rrugën drejt shpresës dhe lirisë së privuar nga regjimi komunist.
Bordi i anijes “Vlora” ishte i tejmbushur me burra, gra dhe fëmijë që prisnin për fatin e tyre midis dy brigjeve të Detit Adriatik. Njerëzit vareshin ku të mundeshin, deri tek shtiza e flamurit.
Për shumë prej shqiptarëve që morën atë udhëtim, qëndrimi në Itali nuk zgjati shumë.
Sipas raportimeve të asaj kohe, brenda dy javësh u riatdhesuan rreth 17400 shtetas shqiptarë, ndërsa në Itali mbetën rreth 1500 që kishin kërkuar strehim politik. (Edlira RUZI).///





ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit