SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

HOMAZH. Ndahet nga jeta inxhinieri dhe intelektuali i shquar Kristo Kauri.

Është ndarë nga sot nga jeta në Athinë pas një vuajtje të gjatë inxhinieri dhe intelektuali i shquar, Kristo Kauri.

Lajmi i trishtë po përcillet me dhimbje e hidhërim nga banorë të Sarandës, Delvinës dhe minoritetit grek po edhe nga shumë miq e kolegë të tij, inxhinierë të pyjeve dhe kullotave në të gjithë vendin.

Kristo Kauri do të mbahet mend për cilësitë e karakterit si njeri dhe intelektual me integritet dhe për mirësinë e fisnikërinë që e karakterizonte kudo ku punoi: nga bjeshkët e Tropojës deri në Sarandë, Delvinë e ngado dha kontributet e tij.

Si specialist, inxhinier i pyjeve dhe kullotave ai dha kontribute të çmuara në studime për mbrojtjen dhe zhvillimin e pyjeve dhe kullotave në Sarandë dhe përgjithësisht në rajonin jugperëndimor të vendit.

Kontributet e tij si ekspert i fushës, për shumë vite përfshijnë edhe fushën e shoqërisë civile mjedisore në Sarandë me organizatën AJMMI po edhe ne Qendrën kombëtare të mjedisit, REC Albania. Studimet për pyjet në luginën e Valbonës (Tropojë), për zonën Bënçë-Kurvelesh si zone Park Rajonal Natyror, për rehabilitimin e florës së dëmtuar dhe faunës në katër Ishujt e Ksamilit, gjelbërimi me pisha i kurorës së Sarandës, etj, janë vetën disa nga punët që ing.Kristo Kauri përfundoi me pasion, kompetencë profesionale e përkushtim të jashtëzakonshëm.

Kristo Kauri me eksperiencën dhe pasionin e tij të veçantë ishte nje enciklopedi dijesh që kishte si gur të çmuar thjeshtësinë që dallon njerëzit e shquar e të ditur.

Ndarja nga jeta e ing.Kristo Kaurit, lë pas gjurmët e ndritura të një jete me përkushtim njerëzor, profesional dhe nje boshllëk në jetën shoqërore.

Stafi i SarandaNews.al dhe Agjencia AJMMI po edhe qindra shokë, miq e kolegë të tij i shprehin familjes Kauri, ndjenjat e dhimbjes dhe solidaritetit në këtë ditë të vështirë. LAMTUMIRË, ING. KRISTO KAURI, NJERIU SIMBOL I PUNËS dhe PËRKUSHTIMIT! /Shkëlqim HajnosarandaNews.al///

error: