Nga Mentor KIKIJA
(Ose në dorë të skllavit që bëhet pronar). Lexova historinë e një punëtori të huaj në Shqipëri. Kishte ardhur nga Madagaskari. I kishin thënë se do të punojë shofer kamioni. Por e kishin dërguar tek një kompani riciklimi mbetjesh në Shijak, të bënte diferencimin e mbetjeve.
“Më mbajten sendet personale, rrobat dhe pasaportën. Nuk ma jepnin, më kërcënonin se nëse tentoj të iki, apo të mos punoj, do më rikthejnë në vendin tim. Kur isha sëmurë nuk më linin të pushoja, por më jepnin një ilaç, duke punuar…Më trajtonin si të isha skllav.”
Gazetari i ri dhe i talentuar, Ersid Karaj, e ka ndihmuar dhe ka marrë sendet e tij dhe pasaportën, duke u laguar nga kompania.
Ne shqiptarët, në fillimet e emigrimit masiv, jemi shfrytëzuar nga punëdhënës të huaj, grekë, italianë etj, si pakush tjetër në këtë kontinent. E dimë më mirë se kushdo çdo të thotë të punosh 13 orë për një copë bukë. Kjo përvojë, duhet të na mbushte me ndjesinë e respektit për emigrantin. Por ndodh, dhe ndodh rëndom, që ata që sot kanë nevojë për fuqi punëtorë dhe këtë fuqi e marrin nga vendet e largëta e të varfëra, sillen me ta me keq se ç’janë sjellë të tjerët me ne.
Agjenci që i mashtrojnë për profesionin, pagën dhe kushtet e punës.
Kur vijnë këtu përballen me orare të zgjatur pune. Nuk njohin ditë pushimi. Kushte skandaloze jetese, ata që u marrin përsipër edhe akomodimin.
Zengjinëve të rinj shqiptarë duket se u ka buzëqeshur fati. Tashmë po bëhen edhe pronarë zezakësh(ndjesë për etiketimin). Dhe, po, kjo po ndodh, sepse shteti bën fare pak për të kontrolluar marrëdhëniet e punës mes punëdhënësve dhe punëmarrësve.
Qeveria është e lumtuar që gjen njerëz në nevojë “prapa botës”, për të zëvendësuar krahun e punës që është larguar e po largohet.
Por këta njerëz duhet të kenë po ato të drejta që duhet të ketë çdo punëtor.
Ata duhen mbrojtur nga sjelljet harbute të skllevërve të dikurshëm që tashmë janë bërë pronarë. Ky vend nuk është Amerika e shekullit të 17-18.
Njerëz, mungesën e shtetit duhet ta zërë mirësia jonë. Denonconi publikisht nëse shikoni raste të këtij robërimi të të huajve në Shqipëri. P.S: Ju lutem, ndaje këtë shkrim në formën e një apeli.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit