SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Shqiptari shpëtohet nga mbytja në Greqi, por policia zbulon 135 kg drogë në skafin e tij

Një operacion shpëtimi i Rojës Bregdetare Greke në ujërat pranë ishullit “Prasoudi” të Igumenicës përfundoi me sukses, duke shpëtuar jetën e një 50-vjeçari shqiptar, i cili po rrezikonte të mbytej pasi skafi i tij kishte filluar të fundosej.

Megjithatë, pas shpëtimit, autoritetet bënë një zbulim surprizues: në mjetin gjysmë të fundosur u gjet një sasi e madhe droge, me peshë totale 135.88 kilogramë kanabis të papërpunuar.

Sipas njoftimit zyrtar, me ndihmën e një zhytësi privat, nga brendësia e skafit u nxorën pesë pako plastike që përmbanin 79.75 kg kanabis, ndërsa gjatë hetimeve të mëvonshme, në zonën detare të “Votës” në Sagiada, u gjet edhe një qese shtesë me gjashtë pako të tjera që peshonin 56.13 kg.

Në total, droga e sekuestruar arrin vlerën e rreth 400 mijë eurove, sipas vlerësimeve të autoriteteve greke.

50-vjeçari shqiptar u arrestua nga Autoriteti Qendror Portual i Igumenicës, i cili po kryen hetimet paraprake. Ai akuzohet për trafik të lëndëve narkotike dhe hyrje të paligjshme në territorin grek, pasi nuk posedonte dokumente të vlefshme udhëtimi.

Përveç drogës, u sekuestruan skafi prej poliesteri, që shërbente si mjet transporti, dhe një telefon celular që do t’i nënshtrohet ekspertizës.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar origjinën dhe destinacionin e sasisë së drogës, si dhe mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në këtë trafik.///

error: