Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha njoftoi sot nisjen e protestave qytetare në datën 22 dhjetor, që sipas tij, do të ndërpritet vetëm me rrëzimin e këtij pushteti, krijimin e qeverisë teknike dhe votimin e lirë të shqiptarëve.
Duke informuar mbi vendimin e djeshëm të Kryesisë së PD-së, Berisha tha se në këto protesta do të bashkohen shqiptarë të të gjitha bindjeve, por që guxojnë të shprehin zërin e tyre kundër vjedhjes së parave dhe pasurive të taksapaguesve shqiptarë.
Berisha theksoi se u faktua me dokumente të pakundërshtueshme, por dhe me raporte ndërkombëtare nga më seriozet, se në Shqipëri u zhvillua një farsë elektorale.
“Edi Rama përdori të gjitha bandat të cilat futën në parlament, një për një 28 deputetë.
Manipuloi në mënyrë monstruoze votën e diasporës”, theksoi ai.
Berisha tha se do të përdoren të gjitha format e protestave. “Kurrë ndonjëherë më shumë, vendi nuk ka pasur nevojë për kreativitetin, për guximin dhe vendosmërinë e idealistëve shqiptarë”, shtoi ai.
Duke folur për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Berisha tha se ai u zgjodh pa firmat e opozitës, duke marrë edhe atë grimcë pushtet që kishte mbetur i ndarë.
“Firmosja e kandidaturës së Endrit Shabanit ishte një gabim, akt i nxituar, i cili ndodhi në një periudhë kur u krijua një lloj koalicioni për kandidaturën e Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, nuk është ajo firmë që bëri të mundur zgjedhjen e Endrit Shabanit, se ajo firmë u tërhoq po me firmë nga të gjithë ata që i kishin vendosur firmat. Pra, njëra anë është një nxitim dhe gabim për të cilin unë kam kërkuar dhe kërkoj prapë ndjesë, por ana tjetër është zgjedhja, nuk u bë nga firmat se firmat u tërhoqën”, shtoi ai.
Ndërsa lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që hoqi pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Berisha tha se ai vendim u shkrua në zyrën e Edi Ramës, pas presioneve të jashtëzakonshme.
“Ky vendim tejkalon të gjithë sistemin gjyqësor shqiptar, i cili ka tagrin në përputhje me Kushtetutën të shqyrtojë masat e sigurisë, Gjykatës së Apelit dhe asaj të Lartë. Duke anuluar pezullimin e Lubi Ballukut, duke i dhënë dhe 1 muaj e gjysmë kohë, asaj që të falsifikojë, manipulojë çdo dokument të vjedhjeve të saj kolosale, defakto Gjykata Kushtetuese i dha licencën Edi Ramës të vjedhë pa siklet sa të dojë”, tha Berisha.
Berisha përshëndeti po ashtu protestën e Adriatik Lapajt para Kryeministrisë, të cilën e cilësoi të drejtë.(Maela MARINI).///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI