SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Gonzato: Ka spekulime, nuk ka bllokim të procesit të integrimit me Shqipërinë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato në një intervistën për televizonin Euronews Albania, deklaroi sot se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE vijon normalisht dhe nuk ka një bllokim të tij, pavarësisht spekulimeve të fundit në media.

Gonzato theksoi se diskutimet mes vendeve anëtare janë pjesë e zakonshme e procedurave të Bashkimit Evropian dhe zhvillohen në kuadër konfidencial.

Duke iu referuar raportimeve për një grup vendesh anëtare që pretendohet se kanë rezerva ndaj ecurisë së Shqipërisë, ai u shpreh se këto janë interpretime të nxituara. “Ky është një proces ku duhet të arrijmë konsensus. Takimet synojnë pikërisht krijimin e këtij konsensusi mes shteteve anëtare”, tha Gonzato.

Ai sqaroi se diskutimet që zhvillohen në COELA janë pjesë e një procesi teknik dhe politik, ku vendet anëtare shqyrtojnë vlerësimet e Komisionit Evropian dhe kërkojnë sqarime shtesë. “Ka shumë spekulime rreth asaj që po ndodh në COELA dhe sinqerisht nuk dua t’i hyj kësaj, pasi janë negociata konfidenciale që duhet të respektohen”, u shpreh ai.

Sipas ambasadorit, fakti që takimet po vijojnë tregon qartë se procesi është aktiv. “Është planifikuar edhe një tjetër takim, çka do të thotë se negociatat vazhdojnë. Nuk mendoj se mund të flasim për bllokim”, theksoi Gonzato.

Ai shtoi se diskutimet mes shteteve anëtare nuk duhen interpretuar si përçarje, por si pjesë e një procesi të nevojshëm vlerësimi. “Shtetet anëtare analizojnë situatën, bëjnë pyetje dhe më pas vendosin për qëndrimin e përbashkët, veçanërisht për standardet përmbyllëse që garantojnë që reformat janë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme”, u shpreh ai.

I pyetur mbi mundësinë e ndarjes së Shqipërisë nga vendet e tjera në procesin e integrimit, përfshirë Malin e Zi, Gonzato tha se nuk ka informacion për një qasje të tillë. “Nuk kam dëgjuar për ndonjë lidhje apo ndarje mes vendeve. Procesi bazohet te meritat, çdo vend vlerësohet sipas performancës së vet”, theksoi ai.

Në përfundim, ambasadori i BE-së ritheksoi se Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm, ndërsa procesi i integrimit mbetet një rrugë e bazuar në reforma dhe në vlerësime të vazhdueshme nga partnerët evropianë.(Ermira Isufaj)///

error: