Në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi dhe teknologjia po riformëson çdo aspekt të komunikimit publik, gazetaria po përballet me një nga periudhat më sfiduese. Mes zhvillimeve të vrullshme digjitale dhe rritjes së ndikimit të inteligjencës artificiale (IA), qasja për të reflektuar mbi rolin, standardet dhe të ardhmen e gazetarisë mbetet aktuale.
Për të kuptuar këtë realitet kompleks ku është përfshirë profesioni i gazetarisë dhe medias sot, Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSh) ndan në këtë intervistë për ATSh-në një analizë të detajuar mbi evolucionin e gazetarisë, ndikimin e teknologjisë dhe sfidat që e presin këtë profesion në të ardhmen.
Si e keni parë evolucionin e gazetarisë gjatë viteve të angazhimit tuaj?
Si një zhvillim kompleks, ku e duhura, risia, zhvillimi bashkëjeton me shembjen, me rënien e disa shtyllave që dallojnë e do të shquajnë standardet, profesionisten nga diletantja, nga gazetaria e qytetarit apo më saktë nga spontaniteti dhe mundësia e zotërimit të infrastrukturës dhe teknologjisë informuese prej gjithkujt. Unë e kam nisur nga teknologjia e shtypshkrimeve Gutenberg. Në harkun kohor të 35 viteve kemi kapërcyer shumë nivele teknologjike dhe sot jemi te HD dhe online. Nuk është evolucion, por revolucion, madje shumë i shpejtë në kohë. Por në raportin me ndërgjegjen profesionale ka ndodhur realiteti i lëvizjes retrograde. Profesionistët janë pakicë e më pakicë dhe të zënit me zellin raportues ose spontanitetin raportues janë shumicë e shumicë që shtohet. Gazetari-qytetar është shumëkund. Gazetari-profesionist po pakësohet dhe shfaqet përherë e më pak.
Cili ka qenë ndryshimi më i madh që ka sjellë teknologjia në media vitet e fundit?
Natyrisht ndryshimi më i madh është versioni i medieve të reja, online. Ato kanë përmbysur gjithë trashëgiminë e deritanishme dhe me mundësinë multimediale që ofrojnë e kanë masivizuar mundësinë dhe të drejtën raportuese dhe përgatitëse të kontentit si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e njerëzimit. Ky ndryshim është dhe do të jetë vijues. Teknologjia e komunikimit dhe versionet digjitale të saj kanë për të ndryshuar shumë e më shumë gjera së shpejti. Tashmë është thyer plotësisht miti i distancave. Do të nisë raportimi kozmik dhe do të kemi shumë herë më tepër perimetër kozmik raportimi. Në spektrin multimedial të vendit aktualisht ka pasur risi në platformat digjitale, përmirësime teknologjike në kompani dhe ente mediatike të vendit si dhe në fushën e monitorimit të medieve. Por kemi mbetur ende pas në teknologjinë e matjes dhe testimit të audiencave.
Si po përdoret aktualisht inteligjenca artificiale në median shqiptare?
Po njeh një përdorim progresiv. Në redaksi të medieve tradicionale ka nisur të sigurohet shkrimi dhe përgatitja e kontentit me natyrë analitike, rezyme, raporte, dokumentarë dhe zhanre të tjera të shkrimit dhe të medias radiotelevizive. Konstatojmë se në mediet online ka përdorim më masiv. Madje edhe në mediet e profilit që funksionojnë në bilingualitet, kryesisht në anglisht dhe në shqip. Ka pasur raste të përdorimit edhe në median audiovizive. Kemi katër raste përdorimi eksperimental të imazheve virtuale në moderim televiziv si dhe kemi dhjetëra raste në radio dhe programe të ndryshme radiofonike. Njëkohësisht redaksitë e përgatitjes së lajmeve nga bota apo zhanre të tjera raportimi po përdoren gjerësisht nga strukturat redaksionale.
A mendoni se IA është më shumë një ndihmë apo një kërcënim për gazetarinë?
I shfaq të dyja mundësitë. Pa dyshim që është ndihmë. Është aleate në kohë, me redaksitë me redaktorët, me gazetarin për të parë kontekstet dhe kronologjinë, për të përqendruar referencat apo edhe për të verifikuar raportimet e deriatëhershme, kur i duhet të përgatisë raportimin e radhës. Por nuk mund të bëhet fjalë për raportim autentik prej IA, pasi ajo bazohet mbi atë çka është raportuar në versione dhe hapësirë multimediale të virtualizuar. IA shumëfishon mundësinë, por zhbën disa cilësi dhe vlera të autenticitetit individual të gazetarit-njeri. Ka edhe shumë risqe të tjera për të cilat tashmë mediologjia ndërkombëtare po shprehet me tekste dhe analiza specifike dhe specifikisht deontologjike për kërcënimet dhe sidomos rreziqet. Gjatë kësaj periudhe janë shumëfishuar shënjestrimet ndaj gazetarëve. Është dimensionuar propaganda kompjuterike. Kanë mbërritur çrregullime në tregun e reklamave, po reduktohen vendet e punës etj.
A rrezikon IA cilësinë dhe besueshmërinë e lajmit?
Natyrisht që e rrezikon cilësinë. Humbasin shumë aspekte dhe vlera të individualitetit krijues në raportim, në tipare dhe cilësi të zotësisë vetjake raportuese dhe informuese. Zhbëhet elementi i ndjenjës dhe emocionit njerëzor që mbart tipikisht raportuesi-njeri. Vetëm njeriu mbetet besnik i kontaktimit dhe i shtimit të më shumë se dy burimeve, ndërkohë që IA selekton dhe grupon manualisht versionet e raportimeve të publikuara nga njerëzit ose opsionet digjitale. Besueshmëria për shkak të konkretësisë dhe qenies në vendndodhje përherë do të favorizojë njeriun më shumë se robotin apo teknologjinë. Ka mbërritur realiteti i pasojave të “çrregullimit informativ” për gazetarinë në përgjithësi dhe industrinë e lajmeve. Ka ngatërrim dhe dobësim të raportimit cilësor me dezinformimin dhe artikujt reklamë. Ka sjellë dhe po e shton dobësimin e rolit të gazetarit si faktor.
Si mund të luftohet përhapja e lajmeve të rreme në epokën e IA?
Praktikat e deritanishme po krijojnë disa metodologji dhe specifika të luftës kundër lajmeve të rreme. Në aspektin informatizues po krijohen motorë kërkimi dhe procesime selektuese të cilat komandohen dhe operojnë me çelësat e verifikimit, kërkimit dhe refuzimit. Kjo varet edhe prej profilizimeve të redaksive dhe strukturave mediatike. Në praktikat e redaksive të verifikimeve të fakteve janë krijuar metoda efektive dhe praktika të lëvdueshme. Sot ne kemi redaksi profili që spikasin për praktikat e verifikimit te fakteve. Redaksitë dhe gazetarët profesionistë mbeten besnikë të respektimit të standardeve dhe etikës profesionale. Shmangin botimin e informacioneve të paverifikuara. Rrisin përpjekjet verifikuese dhe priren drejt raportimeve të thelluara dhe investiguese.
A mendoni se IA do të zëvendësojë disa role në gazetari?
Në planin rutinor disa aspekte po zëvendësohen, por në raport me cilësinë, standardin dhe besueshmërinë ndaj kontentit, ndaj raportimit gazetari mbetet rol themelor. Gazetari është themelues i rolit, çka vjen më pas është imitim ose praktikë stereotipike. Në praktikat meditatizuese, IA do të zëvendësojë mjaft akte, veprime dhe procedura, por krijimin autorial dhe zotësinë raportuese njerëzore të gazetarit nuk e zëvendëson.
Si e shihni të ardhmen e gazetarisë në 10 vitet e ardhshme?
Gati 12 vite më parë dy emra eminentë të gazetarisë ndërkombëtare Bill Kovac dhe Tom Rosentiel në librin e tyre “Elementet e Gazetarisë” konstatonin: “Vetëm gazetaria i kushton vëmendje parësore informimit të saktë mbi ngjarjet e ndodhura”. Në fakt ky është adresim i avantazhit që ka gazetaria profesionale mbi alternativat e tjera të informimit dhe raportimit. Gazetarët do të shtojnë kapacitetin e tyre për përpunimin e një sasie më të madhe të informacionit për të arritur tek burimet, informacionet dhe imazhet e rëndësishme. Do të sofistikohen strukturat teknologjike dhe logjistike mbi bazën e të cilave do të funksionojnë dhe ristrukturohen modelet e reja redaksionale dhe mediatike. Ne do të shkojmë tek raportimi nga planete të tjera. Do të krijojmë module dhe modele të reja në partneritetin me robotët mediatikë, do të ndiejmë ndihmesën e tyre për përzgjedhjet faktologjike në shqyrtesat dhe analizat tekstore apo në përgatitjen e kontenteve multimediale etj. Do të jemi në një kohë që s’është dhe do të mbartim asete nga koha që ka shkuar në rrethana, kushte dhe në mendësi që ende nuk ka mbërritur. Do të jemi më ndryshe, nga sa e kemi menduar të ndryshmen në gazetari dhe në misionin publik të gazetarisë.
A ka rrezik që teknologjia të zbehë rolin kritik të gazetarit në shoqëri?
Natyrisht që teknologjia zbeh shumëçka të roleve që kryen shoqërisht njeriu, aq më tepër një profesionist në gazetari. Kur gazetari ia delegon totalisht funksionin teknologjisë dhe kur bie në letargjinë ose dembelizmin mendor, ai ka deleguar funksionin e vet unik. Por, aty ku e ka deleguar, nuk është transferuar substancialia e tij prej njeriu.
Si mund të ruhet balanca mes teknologjisë dhe vlerave tradicionale të gazetarisë?
Në studimet dhe sidomos lektorimet e sotme mediologjike janë krijuar receta të shkëlqyera sugjeruese dhe të shëndetshme për ruajtjen dhe trashëgiminë e vlerave tradicionale të gazetarisë përballë revolucionit teknologjik. Balancat ruhen vetëm kur entiteti profesional i gazetarëve e bën diferencën me rrjetet sociale dhe mundësitë që ofrojnë ato për mediatizim për çdo individ përdorues. Ndërgjegjja raportuese e pajisur me respektim të kritereve dhe standardeve të raportimit, me ndërgjegjen e pasurisë së burimeve dhe sidomos të kërkimit dhe thellimit raportues janë kriter për ruajtjen dhe trashëgiminë profesionale të balancave në raport me vrullet dhe revolucionet teknologjike që ndodhin edhe në fushën e medieve dhe të informimit.(Ermira ISUFAJ)///
ME SHUME LAJME
Pashka ortodokse, Kryepeshkopi Joan mesazh besimtarëve: Të bëhemi paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja!
Sarandë. Besimtarët ortodoksë kremtuan të Premten e Zezë
FOKUS – Metastazat e kancerit nuk janë qeliza të ”çmendura”, por ndjekin një plan arkitektonik