SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

“Fox News”: Turistët amerikanë zgjedhin Shqipërinë si destinacionin bregdetar ekonomik, mes tensioneve në LM

Ndërsa destinacione të preferuara si Dubai janë tashmë të pasigurta për pushime për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, amerikanët po zgjedhin destinacione mesdhetare për pushime në plazh me kosto të përballueshme, si Shqipëria, shkruan Andrea Margolis në një artikull të botuar në të përditshmen amerikane “Fox News”.

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë si një destinacion bregdetar ekonomik në Evropë, falë vijës së saj të bukur përgjatë detit Adriatik dhe çmimeve të përballueshme.

Kryeqyteti, Tirana, është një nga pikat kryesore të hyrjes për vizitorët, duke ofruar kombinimin e jetës urbane me afërsinë ndaj plazheve me ujëra të kristalta.

Qyteti ndodhet rreth 30 kilometra nga bregdeti dhe shërben si bazë ideale për eksplorimin e zonave turistike përreth.

Një tjetër atraksion i rëndësishëm është Mali i Dajtit, i njohur për shtigjet e ecjes dhe pamjet panoramike, i aksesueshëm lehtësisht edhe përmes teleferikut.

Tirana, e shpallur kryeqytet në vitin 1920, është zhvilluar ndjeshëm pas viteve ’90, duke u kthyer në një destinacion në rritje për turistët ndërkombëtarë.

Vizitorët tërhiqen veçanërisht nga zona e Blloku, dikur e rezervuar për elitën komuniste, që sot është një qendër dinamike me kafene, restorante dhe jetë të gjallë nate.

Përveç potencialit urban, Shqipëria është vlerësuar si një nga 16 vendet më të lira për t’u vizituar në vitin 2026 nga revista e udhëtimit “Condé Nast Traveler” – duke e bërë atë një zgjedhje tërheqëse për turistët me buxhet të kufizuar.

Vizitorët përfitojnë gjithashtu nga kursi i favorshëm i këmbimit -ku dollari amerikan mbetet i fortë përballë lekut shqiptar, duke e bërë përvojën turistike më ekonomike.

Sipas të dhënave zyrtare, Tirana është gjithashtu qendra kryesore e vendit për konferenca dhe aktivitete ndërkombëtare, duke përfshirë institucione si Pallati i Kongreseve dhe Pallati i Kulturës, ku ndodhet edhe Teatri i Operës dhe Baletit.

Përveç këtyre, qyteti ofron hapësira të gjelbra dhe parqe të shumta, duke e bërë një destinacion tërheqës si për turizmin urban, ashtu edhe për atë natyror. (Atila KOTA)///

error: