SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Rama: Koncerti i West i tregoi botës se Shqipëria është vend i sigurt për evente të mëdha dhe investime

 Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se koncerti i Kanye West i tregoi botës se Shqipëria është një vend ku edhe kur ka protesta ka mikpritje, ka siguri dhe mund të organizohen ngjarje të mëdha me pasion dhe me profesionalizëm.

Në një një videomesazh në rrjetet sociale, Rama tha se Shqipëria është një vend i lirë, demokratik ku s’duhet të kesh asnjë drojë që të vish të pushosh, të rikthehesh dhe të mendosh të investosh.

“Parafytyroni se si ka shkuar ky mesazh tek ata të huaj që kanë rezervuar të vijnë në javët e muajit në vijim dhe ndërkohë ishin duke menduar anulimin e rezervimeve për pushime për shkak të protestës, siç ndodhi në qershor, ku pas një maji fantastik, prurjet ranë duke goditur në fakt ekonominë e shumë familjeve që jetojnë me turizmin”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “merreni me mend tani se çfarë impakti negativ do të kishte anulimi i koncertit më të madh që Shqipëria ka organizuar ndonjëherë. Po jo vetëm për turizmin, por edhe për investitorët e huaj, sepse investimet e huaja nuk shkojnë thjesht aty ku ka ligje të favorshme dhe taksa konkurruese, por shkojnë aty ku radhë të parë ka besim, ka energji, ka reputacion, ka ambicie, ka siguri pa diskutim dhe ka një shoqëri që beson tek e ardhmja e vetë dhe që ka guxim përditë ta shohë ardhmen me një sy të ri”.

Rama tha se askush nuk beson në një vend që ka frikë nga vetja.

“Kapitali ndjek në radhë të parë besimin, pastaj sigurisht, bën edhe llogaritë e fitimit. Qytete si Vjena, Londra, Parisi apo Singapori na i kanë zgjidhur me kohë e me vakt dilemat e ndarjes së bukës së zhvillimit duke u bërë liderë të industrisë, kulturës, të sportit dhe të arkëtimit. Ata konkurrojnë për të sjellë artistët dhe eventet më të mëdha të botës, sepse e kanë kuptuar, e kanë testuar dhe provuar prej kohësh që pyetja e duhur nuk është sa kushton një aktivitet kulturor, por sa ekonomi gjeneron, sa turistë, pra konsumatorë tërheq, sa investime frymëzon dhe sa prestigj ndërton”.

“Shqipëria e sotme nuk duhet të pyesë vetëm sa kushton. Shqipëria e sotme që synon ligën e kampionëve të Mesdheut turistik duhet të pyesë me patjetër sa vlerë krijohet nga ky investim dhe mos e harroni që ka një varfëri shumë më të madhe dhe shumë më të rrezikshme për një vend sesa mungesa e të ardhurave të mjaftueshme, varfëria e aspiratave për një vend dhe për këdo. Kush është i varfër në aspirata është i dënuar të mbetet shumë më mbrapa sesa mundësitë që ai realisht ka si vend apo si individ”, tha Rama.

Kreu i qeverisë vuri në dukje se “kush e sheh çdo ide të guximshme si të nxituar dhe kush e sheh çdo sukses si të dyshimtë nuk e lufton, po vetëm e ushqen varfërinë. Varfëria nuk luftohet duke mos bërë koncerte, por duke bërë edhe koncerte, sepse një vend nuk bëhet kurrë dot i pasur duke menduar vetëm për barkun, e jo edhe për shpirtin”.

“Mirëqenia rritet duke krijuar vlerë, duke tërhequr kapital, ide, njerëz dhe mbi të gjitha duke qenë aktor protagonist, jo spektator pasiv të botës ku jetojmë. Pensionet nuk paguhen nga pesimizmi. Spitalet nuk ndërtohen nga refuzimi i çdo nisme të madhe. Mirëqenia nuk lind nga zvogëlimi i ëndrrave. Ajo lind nga guximi për të parë më larg, për të synuar më lart dhe për të krijuar më shumë vlerë duke pasur kurajon gjithmonë për të guxuar më shumë”, tha Rama.(Kolodi SARAÇINI)///

error: