SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Temperaturat e larta, mjeku Bitri apel qytetarëve: Shmangni daljet në orët e pikut dhe hidratohuni

Rritja e temperaturave gjatë ditëve të fundit ka shtuar rrezikun për probleme shëndetësore, veçanërisht te të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike.

Mjeku i familjes në Qendrën Shëndetësore nr. 9 në Tiranë, Artan Bitri në një prononcim për ATSH-në ndan disa këshilla për mbrojtjen e shëndetit gjatë ditëve me temperatura të larta.

“Për të shmangur temperaturat e larta  në këto ditë të nxehta vere qytetarët duhet të qëndrojnë në ambiente të freskëta nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Ndërsa duhet treguar kujdes me fëmijët dhe të moshuarit”, tha Bitri.

Sipas tij, kujdes të veçantë duhet të tregojnë sidomos të sëmurët kronikë, pasi temperaturat e larta mund të ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes së tyre shëndetësore.

“Më e rëndësishmja është hidratimi i vazhdueshëm. Qytetarët duhet të konsumojnë ujë rregullisht, edhe nëse nuk ndiejnë etje, ndërsa duhet të kufizojnë pijet alkoolike dhe ato me përmbajtje të lartë kafeine, të cilat favorizojnë dehidratimin”, thekson mjeku Bitri.

Ai rekomandon gjithashtu konsumimin e vakteve të lehta, të pasura me fruta dhe perime të freskëta.

“Jo vetëm të sëmurët kronikë, por të gjithë duhet të konsumojnë gjatë ditës, ujë dhe lëngje, elektrolite, fruta dhe zarzavate”, tha Bitri.

Mjeku apelon që personat me hipertension, diabet, sëmundje të zemrës apo probleme të frymëmarrjes të ndjekin rregullisht trajtimin e përshkruar dhe të konsultohen me mjekun nëse shfaqin simptoma si marramendje, dobësi, dhimbje koke, marrje mendsh dhe temperaturë të lartë.

Por mjeku Bitri ka një apel edhe për pushuesit që kanë zgjedhur t’i kalojnë këto ditë të nxehta në plazh.

Ai sugjeron që të shfrytëzohen orët e para të mëngjesit deri në orën 11.00 dhe pas orës 17.00. Mjeku thotë se nuk duhet neglizhuar lyerja e trupit dhe fytyrës me krem me faktorë mbrojtës 50+, të konsumohet sa më shumë ujë dhe të qëndrohet poshtë çadrave në hije, si edhe të shmanget aktiviteti fizik gjatë pikut të vapës.

“Tek mjeku i familjes në këto ditë të nxehta kryejmë 10-15 vizita ditore. Kryesisht vijnë  pacientë me probleme akute si pasojë e vapës dehidratimit ose goditjeve nga dielli ,tensionit etj. Po i njëjti numër vizitash kryhet edhe tek mjekët pediatër”, tha Bitri.

Grupet më të rrezikuara ndaj temperaturave të larta janë: të moshuarit, foshnjat dhe fëmijët e vegjël si dhe personat që vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike si: sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, thyreotoksikoza, sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK), sëmundjet mendore, sëmundjet e veshkave, insuficienca renale, gurët në veshka, gratë shtatzëna etj.(Klodi SARAÇINI)///

error: