SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Berisha: Mazhoranca mbylli procesin e Reformës Territoriale, vazhdon projekti i shpopullimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se po tërhiqet nga reforma territoriale dhe po vijon, sipas tij, një projekt të shpopullimit të vendit.

Në fjalën e tij në seancën plenare të Kuvendit, Berisha tha se reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe ajo territoriale janë ndër detyrat kryesore në kuadër të procesit të integrimit europian.

“BE në procesin e integrimit, në krye të radhës përcaktoi dy detyra më kryesore: reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe reformën gjithëpërfshirëse territoriale”, tha Berisha.

Ai deklaroi se opozita ka marrë pjesë në grupet e punës për këto reforma me kushtin që të merret ekspertiza e ODIHR për reformën zgjedhore dhe ajo e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës për reformën territoriale.

Sipas Berishës, përfaqësuesit e opozitës në këto komisione kanë mbrojtur interesat e qytetarëve dhe kanë dhënë kontribut në proces.

“Papritmas, Edi Rama tërhiqet de facto nga reforma territoriale dhe mbyll procesin duke vazhduar projektin e tij të shpopullimit të mëtejshëm të Shqipërisë”, u shpreh Berisha.

Ai pretendoi se qeveria ka parashikuar reduktimin e numrit të bashkive në territorin e vendit, duke e cilësuar këtë si një praktikë që dëmton komunitetet lokale.

“Ka parashikuar reduktimin me 25 bashki nga Konispoli në Krumë në të gjithë territorin e vendit. Dhe kjo përbën një praktikë të qartë shpopullimi”, tha Berisha.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të angazhohen në protesta për mbrojtjen e interesave të komuniteteve të tyre.

“Ngrihuni në këmbë për të mbrojtur interesat jetike të komuniteteve tuaja”, tha ai, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen protestave që po zhvillohen në Tiranë.

Në replikë me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë seancës plenare në Kuvend, Berisha deklaroi se përfaqësuesit e opozitës kishin kërkuar zgjatjen e afatit të komisionit dhe marrjen e ekspertizës së Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.

Sipas tij, ky kusht ishte i panegociueshëm për opozitën, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka kërkuar një proces të njëanshëm.

“E vërteta është se pati një ujdi për të zgjatur afatin e komisionit, sikundër kushti për të marrë ekspertizën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe të Këshillit të Evropës është për ne i panegociueshëm”, tha Berisha.

Ai theksoi se projekti i diskutuar për reformën territoriale parashikon reduktimin e mëtejshëm të numrit të bashkive.

“Projekti i diskutuar nga ju shkurton edhe të paktën 20 bashki të tjera, të shpërndara në të gjithë vendin, nga Kruja, Fushë Arrëzi, Mirdita, deri në Konispol, Delvinë, Finiq”, u shpreh Berisha.(Gjergji MIMA)///

error: