Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, bëri apel sot për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, duke theksuar se sjelljet që pengojnë lëvizjen e qytetarëve dhe krijojnë bllokime në trafik do të ndëshkohen.
Në një reagim në rrjetet sociale, Lamallari u shpreh se për “kapriço të dikujt” nuk duhet të vuajnë drejtuesit e tjerë të mjeteve që respektojnë rregullat e qarkullimit.
“Djema, nëse mendoni se jeni të privilegjuar dhe mund të bëni ç’të doni në trafik duke vonuar dhe bllokuar të tjerët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe normat qytetare, përshëndeteni pak dronin sipër jush dhe prisni sa të takoni patrullën më të afërt me gjobën tuaj”, tha Lamallari.
Ministri Lamallari bëri të ditur se dronëve të Policisë së Shtetit do t’u shtohen së shpejti edhe kamerat inteligjente të sistemit Smart City, të cilat do të vendosen në akset kombëtare dhe rrugët kryesore të vendit.
Sipas tij, qëllimi është garantimi i zbatimit të ligjit dhe rritja e sigurisë në rrugë, duke nënvizuar se rregullat e qarkullimit duhet të respektohen nga të gjithë qytetarët, pa përjashtim.(Ermira ISUFAJ)///
ME SHUME LAJME
Kultivoi bimë narkotike mes kanioneve në Progonat, arrestohet 57-vjeçari
Të huajt që punësohen masivisht në Shqipëri, nga dadot te kuzhinierët
Temperaturat vijojnë të larta, reshje lokale shiu