Qytetarët janë mbledhur pasditen e së dielës në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, për të zhvilluar protestën e radhës kundër qeverisë.
Tubimi i sotëm është dita e 57-të e protestës së qytetarëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Rama dhe klasës politike aktuale.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit pritet të nisin marshimin drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen edhe fjalimet e rastit.
Protesta po zhvillohet nën monitorimin e strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat kanë marrë masat për menaxhimin e qarkullimit dhe garantimin e rendit publik gjatë zhvillimit të tubimit.
Gjatë tubimit, pjesëmarrësit mbajtën fjalime dhe shprehën qëndrimet e tyre lidhur me situatën politike në vend, ndërsa adresuan thirrje ndaj qeverisë, Policisë së Shtetit dhe institucioneve.
Në fjalët e tyre, protestuesit deklaruan se do të vijojnë protestat edhe në ditët në vijim, ndërsa u shprehën edhe kundër ndryshimeve të mundshme në kuadër të reformës territoriale, duke kërkuar ruajtjen e bashkive si Konispoli dhe Delvina.
“Rama priste që me rritjen e temperaturave kjo protestë të binte, por kjo është vera e vetmisë së madhe. Ai nuk do ta mbyllë dot verën sepse Revolucioni i Flamingove do të rrëzojë Ramën dhe qeverinë e tij. 57 ditë rezistencë për të bërë të mundur atë që ky kryeministër nuk e bëri për 13 vite sepse është i pabesë”, tha një aktivist.
“Ne ta japim besën që s’do të ikim prej sheshit derisa të të largojmë ty! Ne e mbajmë besën se s’jemi politikanë si puna jote! Jemi shqiptarë që e kemi studiuar historinë tonë! Nuk do të dorëzohemi pa na futur në burg të gjithëve”, tha një protestues.
Ndërkohë pati thirrje edhe për Policinë e Shtetit, pas përplasjeve të disa ditëve më parë në protestën te Kuvendi.
“I bëj thirrje policisë të mos instrumentalizohet se ne jemi këtu edhe për ta, për fëmijët e tyre”, thirri Edison Lika.
Një tjetër protestuese kundërshtoi idenë e shkrirjes së bashkive për reformën e re territoriale.
Si mund të fshihet Konispoli, si mund të fshihet historia e Çamërisë. Delvina? Qeveria nuk po ndjek interesat e popullit, sepse është bërë arrogante, nuk dëgjon. Hiqni duart nga Konispoli, Delvina dhe Shqipëria. Nuk mund të zbehet roli historik i Delvinës në shtetformim”, tha ajo.(Eva XHAJANKA)///














ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI