SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Sarandë. Mbërrin në Port kroçera “Seabourn Quest” me 467 turistë në bord

Nga Eva XHAJANKA

Shqipëria vijon të tërheqë një numër në rritje turistësh edhe përmes turizmit të kroçerave, ndërsa Porti i Sarandës mbetet një nga portat kryesore hyrëse për vizitorët e huaj gjatë sezonit veror.

Në Portin e Sarandës mirëpriti sot anijen turistike “Seabourn Quest”, me 467 pasagjerë në bord, të cilët zgjodhën të vizitojnë rivierën shqiptare dhe destinacionet historike e kulturore të jugut të vendit.

Sipas Doganës Shqiptare, Dega Doganore e Sarandës vijon të menaxhojë me profesionalizëm dhe efikasitet fluksin e lartë të kroçerave dhe turistëve, duke garantuar procedura të shpejta, të sigurta dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, vlerësoi punën e strukturave doganore në përballimin e sezonit turistik, duke theksuar se lehtësimi i procedurave kufitare është një element i rëndësishëm në përmirësimin e përvojës së turistëve që vizitojnë Shqipërinë.

“Administrata doganore mbetet e angazhuar për të garantuar një shërbim sa më cilësor dhe efikas, duke mundësuar përpunimin e shpejtë të udhëtarëve dhe mjeteve në pikat hyrëse të vendit, në mbështetje të zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë”, theksoi Beja.

Rritja e numrit të kroçerave që ndalojnë në Portin e Sarandës konfirmon interesin në rritje të operatorëve ndërkombëtarë për Shqipërinë si destinacion turistik në Mesdhe. Çdo mbërritje e anijeve turistike sjell qindra vizitorë që frekuentojnë monumentet e trashëgimisë kulturore, plazhet, bizneset lokale dhe shërbimet turistike, duke gjeneruar të ardhura për ekonominë e zonës.

Saranda është shndërruar vitet e fundit në një nga destinacionet më të kërkuara të turizmit detar në vend, falë pozicionit strategjik, afërsisë me ishullin e Korfuzit dhe ofertës së pasur natyrore e kulturore. Fluksi i lartë i kroçerave gjatë muajve të verës pritet të ndikojë pozitivisht në ecurinë e sezonit turistik, duke forcuar më tej imazhin e Shqipërisë si një destinacion gjithnjë e më konkurrues në tregun ndërkombëtar të turizmit.///

/e

error: