SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Memorie: Aty ku rrihte zemra qytetit

Nga Vangjel AGORA

( Pjesa e katërt) -Nostalgjia vjen si një tajfun dhe përplaset në ballin e kujtimeve të mia, si pjesë e inventarit të jetës. Të gjitha këto kujtime kanë të bëjnë me vetë jetën e qytetit. Eci nëpër rrugët e Sarandës dhe, ndërsa më shfaqen vitet e fëmijërisë, më dalin në ekranin gjigant të memories që ende punon me kapacitet të admirueshëm emra, fytyra, zëra… jetë. Por përqendrimi im mbetet te shkallaret. Te ato shkallare ku kam pasur shtëpinë dhe kam kaluar vitet më të pastra të jetës sime. Aty ku çdo hap është një kujtim, çdo gur një histori, çdo kthesë një ndalesë e shpirtit. Është ky një bllok përkufizimesh të gjalla, ku mbahet ende në këmbë një pjesë e dukshme e memories qytetare të saranditëve. Kaloj… vështroj… ndalem… dhe çekani i kujtesës bie fuqishëm në mendjen time, duke shkundur pluhurin e harresës…..

LIMANI

LIMANI – zemra e fëmijërisë sonë. -Limani i qytetit tonë ishte po aq i veçantë sa edhe vetë Saranda. Ai nuk ishte thjesht një port i vogël, ishte zemra që rrihte në buzë të detit Jon, një vend ku historia, puna dhe fëmijëria jonë bashkëjetonin në mënyrën më të bukur. Ashtu si shëtitorja dhe bulevardi buzë detit, edhe limani ishte ndërtuar nga italianët, të cilët i dhanë qytetit një fizionomi elegante mesdhetare. I mbështjellë nga gjiri i qetë e magjepsës, ai të krijonte dhe të krijon përshtypjen e një kartoline të gjallë, tipike për qytetet e vogla bregdetare të Jonit. Për shumë vite me radhë aty ankoroheshin varkat e vogla të peshkimit, peshkatoret dhe ndonjë motoskaf i shërbimeve portuale. Kur në gjirin e Sarandës mbërrinin anijet tregtare të huaja me mallra për t’u shkarkuar, motoskafi çonte përfaqësuesit e portit për të komunikuar me drejtuesit e tyre. Ishte një lëvizje e zakonshme, por për ne fëmijët çdo ardhje e një anijeje ishte një ngjarje që na mbushte me kureshtje.

Motoskafi drejtohej nga kapitenët Gaqo Lepuri dhe Pertef Beluli, dy njerëz që i njihte gjithë qyteti. Në mbrëmjet e verës ai merrte një rol tjetër: shndërrohej në mjet shëtitës për qytetarët dhe pushuesit, të cilët lundronin ngadalë nëpër gjirin e Sarandës, ndërsa dritat e qytetit pasqyroheshin mbi sipërfaqen e qetë të detit.

Por limani kishte një kuptim krejt tjetër për ne, fëmijët e Shkallareve.

Ai ishte mbretëria jonë. Që në orët e para të mëngjesit,ne fëmijët e shkallareve hidheshim në ujërat e kristalta, notonim pa u lodhur, zhyteshim deri në fund dhe gjuanim me fillo peshq të vegjël e sidomos guvjo, që fshiheshin mes gurëve të bregut. Vera jonë kalonte mes kripës së detit, diellit dhe zhurmës së dallgëve.

Në vitet ’60 dhe ’70, Ndërmarrja Komunale vendosi në liman disa varka, (sanalle), të cilat u jepeshin me qira qytetarëve dhe pushuesve për të shëtitur brenda gjirit, në një zonë të kufizuar. Përgjegjës për to ishte Mejdiu, një peshkatar i vjetër, një njeri i njohur për të gjithë. Shpesh ndodhte që ndonjë pushues të merrte një varkë me qira, por të mos dinte ta drejtonte. Atëherë Mejdiu kthente kokën nga ne, që rrinim gjithmonë aty pranë, te shkallët e limanit dhe thërriste njërin prej nesh:

— Hajde o djal, shko e ndihmo!

Çfarë gëzimi ndienim! Ishte sikur na besonin timonin e një anijeje të madhe. Me duart tona të vogla kapnim lopatat,(kupit) dhe e drejtonim varkën me krenari, ndërsa pushuesit shijonin qetësinë e gjirit. Për disa minuta ndiheshim “kapitenë” të vegjël të limanit tonë. Kështu kalonin ditët tona: Paradite në ujë, duke notuar e peshkuar, ndërsa pasdite,por shpesh herë edhe paradite, në shërbim të atyre që nuk dinin t’u jepnin kupive të varkës. Ishin çaste të thjeshta, por të mbushura me lumturi të pastër, atë lumturi që vetëm fëmijëria di ta dhurojë. E kur dielli fshihej në horizont dhe mbrëmja zbriste mbi gjirin e Sarandës, ne largoheshim nga limani vetëm për disa metra. Na gjente te porta e kinemasë verore, fare pranë shkallëve të limanit, duke menduar me njëri-tjetrin mënyrën se si të futeshim pa biletë për të parë filmin e mbrëmjes.

Sot, sa herë rikthehem me kujtesë në ato vite, e kuptoj se limani nuk ishte vetëm një vend. Ai ishte një copëz e shpirtit tonë, një shkollë e jetës, e miqësisë dhe e gëzimeve të thjeshta. Aty mësuam të notonim, të punonim, të ndihmonim të tjerët dhe, mbi të gjitha, të dashuronim qytetin tonë. Për ne, fëmijët e Shkallareve, limani do të mbetet përjetësisht zemra e Sarandës dhe zemra e fëmijërisë sonë.

Por mjaft pikante mbetet edhe lulishtja “Butrinti”. Ky lokal i hershëm që “zaptohej” nga qytetarët dhe të ardhurit në stinën e verës. Gjatë dimrit kur ai nuk funksiononte ne fëmijët e lagjes e kishim vendin më të preferuar ku luanim dhe gjuanim me gurë për të rrëzuar hurmat nga pema e madhe që ndodhej në mes të sheshit. Ishte një lokal i ëmbël për Saranditët. Sa herë që kaloj në buleverd buzë detit, nuk mund të vazhdoj ecjen pa kthyer kokën lart e pa u ndaluar pak. Kujtimet rrjedhin si një ujvare dhe lagin mendimet e mia të ndjeshme si atëhere. Gjatë verës në cep të kësaj lulishte ishte vendosur një orkestrinë ku luanin dikur instrumentistët e njohur të qytetit : fillimisht në fizarmonikë Fejziu, bateri Ilki Preja dhe kitarë Thoma Zhupa dhe në vitet e më pasme, instrumentistë të tjerë të talentuar ku në kitarë spikaste kitaristi Adem Daci .Një orkestër e vogël por që gjallëronte shëtitoren duke krijuar një atmosferë të këndshme me repertorin muzikor, jo vetëm për klientët e lokalit por dhe për njerëzit që shëtisnin në bulevard. Në krahun e djathtë të lulishtes kur je përballë saj, nga ana e shëtitores, ndodhej një godinë 2 katesh, dikur në kohën e Zogut ka shërbyer si konsullata italjane e pas çlirimit hotel dhe zyra të administratës shtetërore si këshilli i qytetit. Një godinë me një arkitekturë të veçantë që nuk u morë vesh arsyeja pse u dogj para dy vitesh.

Kujtimet rrjedhin si një ujvarë e pandalshme dhe lagin mendimet e mia me atë freski të dikurshme. Çdo gjë mbetet aty — e paprekur në shpirt. Pra kujtime të gjalla. Mall i pashuar. Mbresa të pashlyeshme. Dashuri e përjetshme për çdo pëllëmbë të Sarandës, për çdo gur, për çdo tullë, për çdo tjegull.

Eh… qyteti im i shtrenjtë! Saranda ime e bukur! Saranda e fëmijërisë, e rinisë, e punës, e përpjekjeve dhe tash e përvojës sime 70-vjeçare. Saranda ime e lindjes dhe e banesës së përjetshme. Saranda e mallit dhe e shpirtit tim. Dhe unë… nuk do të lodhem së kujtuari dhe fantazuari për ty — për njerëzit që në breza janë strehuar nën çatinë tënde — derisa mendimet të më shterren, trupi të më drobitet, fryma të më ndalet, e fiziku të më bëhet i pamundur.

Parakaluam kështu së bashku nëpër ato shkallare… ku unë u rrita, por edhe nëpër shkallaret e kujtimeve dhe të memories sonë. U ndalëm. Goditëm memorien. U takuam me vendet e preferuara dhe tradicionale të Sarandës dhe, për një çast të vetëm, mu duk sikur u takuam edhe me ata që nuk jetojnë më.

U çmallëm…

Dhe biseda mbeti po ajo:

Si është qyteti… dhe si ndjehen njerëzit e tij?

Një shkrim i lodhshëm ky për mua —4 skica të cilat kanë nevojë të plotësohen. Një përpjekje modeste me ngarkesë emocionale dhe mendimi, i shoqëruar edhe me foto të shumta — por ndoshta më i sinqerti.

Këto që kam shkruar deri tani janë 4 skica dhe frymëzimet e para që më kanë lindur nga jeta ime e fëmijërisë në ato shkallare. Janë copëza kujtimesh që po i hedh në letër për të mos humbur dhe që më vonë mund të shërbejnë si bazë për formulimin dhe realizimin, ndoshta edhe të një libri si një rrëfim kujtimesh, një dëshmi shpirtërore dhe njerëzore për ato vite të bukura të vegjëlisë. Ka shumë punë për ti plotësuar, sistemuar dhe pasuruar këto kujtime me detaje nga jeta e fëmijëve dhe familjeve që banonin jo vetëm në shkallaret tona, por edhe në shkallaret e tjera pranë ish markatos së madhe ku jetonin familjet e Jorgo Lekës, Qimo Petros, Koço Ikonomidhit. Dhimo Papës e tjer. Pikërisht për këtë arsye do të më duhet të bashkëpunojë edhe me pjesëtarë të këtyre familjeve për të marrë informacionin e duhur në mënyrë që ngjarjet të pasqyrohen sa më realisht, me hollësi, atmosferën e kohës dhe me atë “veshje artistike” që i jep jetë rrëfimit.

Falenderojë të gjithë miqt e mi që më kanë ndjekur në faqen time në facebooc, por edhe në faqen “Sarandezët e vjetër” si dhe për ndihmën që më kanë dhënë duke plotësuar me komentet e tyre.

Sepse s’ka më bukur, s’ka më mirë… se kur i përkushtohesh qytetit tënd të lindjes — Sarandës — shkallareve të saj, qytetit të zemrës dhe të shpirtit. Qytetit tim. Qytetit më të bukur në botë./SARANDANEWS.AL///

error: