SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Rezervimet nga Franca rriten me 288%, “BFM Business”: Faktorët që e kanë kthyer Shqipërinë në destinacion të preferuar

Shqipëria po kthehet në një destinacion gjithnjë e më të pëlqyer për francezët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e publikuar nga kanali francez “BFM, Business”, ku vihet në dukje interesi i lartë për të vizituar Shqipërinë.

“Me një rritje prej 288,2% të rezervimeve brenda një viti, numri i francezëve që zgjedhin Shqipërinë për pushimet e tyre ka shpërthyer”, u shpreh Rama.

Në kronikën e publikuar nga “BFM, Business”, krahas peizazhit që ofron vendi, çmimet konkurruese me vendet e rajonit nënvizohen si faktor për tërheqjen e turistëve francezë.

“Krahasuar me destinacione si Greqia, Italia apo Kroacia, Shqipëria mbetet relativisht e përballueshme, qoftë për akomodim apo edhe për sa i përket ushqimit”, thuhet në artikull.

Më poshtë artikulli i plotë i Marie-Flamine Lavergne:

Po sikur të vendosnit ta vizitonit Shqipërinë për pushimet tuaja të radhës?

Në fakt, këtë zgjedhje bënë shumë udhëtarë francezë këtë verë. Rezervimet nga Franca drejt Shqipërisë u rritën me 288,2% krahasuar me vitin e kaluar. Ky bum turistik është një përfitim i madh për ekonominë shqiptare. Në vitin 2025, vendi priti mbi 12 milionë vizitorë ndërkombëtarë.

Por, si u bë kaq popullor ky vend i vogël ballkanik?

Faktori i parë është: Çmimi.

Krahasuar me destinacione si Greqia, Italia apo Kroacia, Shqipëria mbetet relativisht e përballueshme, qoftë për akomodim apo edhe për sa i përket ushqimit. Një vakt në një restorant ekonomik kushton rreth 8 euro në Shqipëri, krahasuar me 12 euro në Kroaci, 15 në Greqi dhe 17 në Itali. Dhe në faqet e internetit për rezervime, çmimi i një dhome për dy net mezi arrin në 100 euro.

Gjithashtu, mbi të gjitha, Shqipëria është bërë shumë më e aksesueshme. Lidhjet ajrore me Tiranën janë shtuar ndjeshëm, veçanërisht linjat ajrore low-cost.
Në terren, përmirësimi gradual i infrastrukturës e bën gjithashtu më të lehtë lëvizjen. Ajo që dikur ishte një destinacion jashtë rrugëve të zakonshme turistike, tani po shndërrohet në një alternativë të thjeshtë dhe të aksesueshme për pushime në Europe.

Faktori i dytë: Peizazhi.

Me ujëra në ngjyrë turkezë, male dhe fshatra të gurtë në kodra, Shqipëria ofron peizazhe të larmishme. Në rrjetet sociale, është Riviera Shqiptare ajo që vërtet tërheq vëmendjen dhe imagjinatën më së shumti.

Duke filluar me Ksamilin, i famshëm për plazhet dhe ishujt e tij të vegjël.

Por, Shqipëria ofron më shumë sesa thjesht plazhe; vendi i magjeps vizitorët edhe me peizazhet malore dhe trashëgiminë kulturore. Për ta menaxhuar këtë rritje, Shqipëria ka zbatuar “Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030” që nga viti 2024.

Ajo synon të rrisë të ardhurat nga turizmi, të përmirësojë infrastrukturën hoteliere dhe të mbrojë mjedisin natyror nga rreziqet e mbipopullimit turistik.(Maela MARINI)///

error: