SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Sarandë. Krimi në Ksamil. I qetë mes policëve, Sokrat Vata mbërriti në Gjykatë për masën e sigurisë

Sokrat Vata, 29 vjeçari i akuzuar për vrasjen e një turisti portugez në Ksamil tre ditë më parë, ka dalë sot para togave të zeza. Siç shihet nga këto pamje të pak minutave më parë, i riu nga Hasi shoqërohet nga efektivë të shumtë dhe është i prangosur.

Agjencia “Saranda Web” bën me dije se gjyqi për masën e sigurisë ka nisur dhe në bankën e të akuzuarve bashkë me Sokrat Vatën, janë edhe njëmbëdhjetë shtetas të tjerë. Në kërkim është autori i dytë i akuzuar për vrasjen dhe pronari Bekim Bulica.

Miqtë që shoqëronin 20 vjeçarin Luís Miguel Varela Mendes kanë dhënë dëshminë e tyre para Policisë shqiptare pasditen e së enjtes, duke treguar se konflikti dyshohet se nisi pasi Mendes ndërhyri për të ndihmuar një vajzë që po ngacmohej nga një grup personash ku ishte dhe Sokrat Vata.

Ndërkohë, ky i fundit ka deklaruar para grupit hetimor, se turisti portugez ka nisur një konflikt në lokalin “Principotes” dhe pasi i është kërkuar të mbante qetësi, ka nisur sherri i dhunshëm dhe janë përfshirë disa persona. Sokrat Vata pretendon se thikën e kishte turisti dhe ai i mori nga dora.

Sipas grupit hetimor, nga veprimet hetimore rezulton se:

Në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez Luis Mendes, 20 vjeç. Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi David Heurtevent, (David Gjana) tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.

Ndërsa shtetasit Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina, të cilët janë kamarierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me mjet prerës shtetasi Sokrat Vata, dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.Në momentin e kësaj ngjarjeje, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve shtetasit Miosid Matushaj (punonjës policie D. R. K. M. Gjirokastër), Luciano Seferi (punonjës i I. E. V. P. Fier), Romeo Shehu (punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër) dhe Kristi Koshi, të cilët kanë pasur rolin e sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, në momentin e ndodhjes së kësaj ngjarjeje, në ambientet e lokalit “Principote” ka qenë edhe pronari i tij, shtetasi Bekim Bulica, i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar në autoritetet përkatëse.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për shtetasit Sokrat Vata dhe David Heurtevent, për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim; për shtetasit Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”; për shtetasit Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani, Murat Zhabina, Luciano Seferi, Kristi Koshi, Bekim Bulica dhe Romeo Shehu, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; si dhe për shtetasin Miosid Matushaj, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.(Newsbomb.al)

error: