Drejtoresha e Agjencisë për Media dhe Informim, Manjola Hasa u ka bërë thirrje gazetarëve, qytetarëve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale të verifikojnë informacionet përpara se t’i shpërndajnë, në një kohë kur lajmet e rreme po përhapen me shpejtësi.
Në një videomesazh, Hasa theksoi se, paralelisht me zhvillimet e protestës në vend, në rrjetet sociale po qarkullojnë informacione të pavërteta, fotografi jashtë kontekstit dhe video të manipuluara, të cilat krijojnë shqetësim dhe pasiguri te qytetarët.
“Lajmet e pavërteta, fotografitë jashtë kontekstit, videot e manipuluara dhe informacionet e paverifikuara po përhapen me shpejtësi në rrjetet sociale, duke krijuar shqetësim, pasiguri dhe konfuzion te qytetarët”, u shpreh Hasa.
Ajo solli në vëmendje dy raste të fundit të dezinformimit, mes tyre një fotografi që u bë virale, ku shfaqeshin portretet dhe emrat e nëntë të rinjve shqiptarë, të shoqëruar me pretendimin se ishin zhdukur pasi kishin marrë pjesë në protestën para Ministrisë së Arsimit.
Sipas Hasës, ky pretendim ishte i pavërtetë, pasi vetë të rinjtë kishin konfirmuar se ishin mirë, duke shprehur shqetësimin për pasojat që lajmi i rremë u kishte shkaktuar familjarëve dhe të afërmve të tyre.
Një tjetër rast ishte një mesazh i shpërndarë në radhët e mësuesve dhe pedagogëve, ku pretendohej se personat e fotografuar si pjesëmarrës në protestë do të kontaktoheshin dhe ndaj tyre do të komunikoheshin akuza.
Hasa sqaroi se edhe ky informacion ishte i pavërtetë, duke theksuar se Policia e Shtetit nuk kishte dërguar një mesazh të tillë dhe kishte reaguar zyrtarisht për të përgënjeshtruar pretendimet që qarkullonin në rrjetet sociale.
“Këta janë vetëm dy shembuj që tregojnë se si informacionet e rreme mund të përhapen me shpejtësi, të shkaktojnë shqetësim te qytetarët dhe të ndikojnë në perceptimin e opinionit publik për ngjarjet”, deklaroi ajo.
Drejtoresha e Agjencisë për Media dhe Informim u bëri thirrje qytetarëve, gazetarëve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale që të tregojnë kujdes përpara se të ndajnë informacione në internet.
“Mos besoni gjithçka që lexoni apo shikoni në internet. Përpara se të shpërndani një lajm, ndaloni për një moment dhe verifikoni burimin. Mos u bëni padashur pjesë e zinxhirit të dezinformimit, duke shpërndarë fotografi, video apo pretendime që nuk janë konfirmuar nga burime të besueshme”, apeloi Hasa.(Gjegji MIMA)///
ME SHUME LAJME
Vala e protestave përfshin edhe Greqinë, mijëra studentë dhe mësues në rrugët e Athinës kundër kostos së lartë të jetesës
Avokati i Popullit zbret në terren: Gjetëm 118 persona te Blloku i Sigurisë, kapaciteti zyrtar është 67! Të arrestuarit thonë se janë rrahur, njëri është në spital me dëmtim në sy
Protesta në ditën e nëntë, të rinjtë dhe qytetarë marshim drejt Kryeministrisë