Nga Vangjel AGORA
Tetori po mbyllet,viti po ikën,por sa gjatë mund të presë një qytet që t’i rikthehet jeta kulturore, ndërsa godina e teatrit të tij rrënohet dita-ditës dhe premtimet e pushtetit mbeten në letër?

Për gjendjen e mjerueshme të Kinoteatrit “Butrinti” të Sarandës kam shkruar edhe më parë. Kam ngritur shqetësimin për degradimin e kësaj godine, për humbjen e një hapësire të rëndësishme të jetës artistike dhe për mungesën e veprimtarive kulturore që e varfërojnë jetën qytetare. Fatkeqësisht, koha kalon, shqetësimet përsëriten, por zgjidhja konkrete vazhdon të mungojë.

Kjo nuk është thjesht historia e një ndërtese të amortizuar. Është historia e një tradite kulturore të ndërprerë, e artistëve që kanë dhënë kontributin e tyre për dekada dhe e një qyteti që prej vitit 2019 ka mbetur pa një nga hapësirat e tij kryesore kulturore,që dikur gumëzhinte nga jeta artistike, ku për dekada punuan artistë, u vunë shfaqje në skenë dhe u krijuan emocione për breza spektatorësh.


Kryetari i Bashkisë, Oltion Çaçi, premtoi gjatë diskutimit të buxhetit të vitit 2026 se rikonstruksioni i plotë do të niste brenda këtij viti, në muajin tetor me financim nga të ardhurat e bashkisë.
Por ja ku jemi, në fund të tetorit: as punime, as tender dhe asnjë shenjë konkrete se premtimi po bëhet realitet!
Dhe këtu nuk bëhet fjalë thjesht për mure të amortizuara, por për një traditë kulturore të lënë pas dore, për artistë që kanë humbur hapësirën e tyre dhe për qytetarë që janë privuar nga një jetë artistike gjatë gjithë vitit.

Zoti kryetar, premtimi ishte për vitin 2026. Ku është projekti? Ku është tenderi? Kur fillojnë punimet?
Nëse fondet do të siguroheshin nga të ardhurat e bashkisë, siç u deklarua, qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse ato janë vënë në dispozicion dhe çfarë po pengon nisjen e investimit. Heshtja nuk është përgjigje dhe një premtim publik nuk është dekor për mbledhjet e këshillit bashkiak.

Rreth gjashtë muaj na ndajnë nga zgjedhjet vendore. Nuk e dimë nëse ju Oltion Çaçi do të kërkoni përsëri votën e sarandjotëve, por llogaria për premtimet e pambajtura kërkohet sot, jo në fushatë!
Zoti kryetar, mos e lini Kinoteatrin të bëhet dëshmia më e dukshme e neglizhencës suaj ndaj kulturës së qytetit.
Nëse rikonstruksioni do të nisë, bëjeni publike kur dhe si. Nëse ka pengesa, shpjegojani qytetarëve.
Nëntë vite pa teatër janë shumë. Një tjetër premtim i pambajtur do të ishte tepër!
Saranda meriton një teatër të gjallë, jo një premtim të përjetshëm!
Për kohën kur u ndërtua, kjo godinë ishte ndër më të bukurat dhe më funksionale
Në këtë institucion ju duhet të dini se janë shkruar faqe të rëndësishme të historisë artistike të Sarandës. Breza artistësh kanë punuar, interpretuar dhe kanë krijuar emocone. Gjendja aktuale dhe
pasojat e krijuara nuk maten vetëm me suvanë që bie apo me karriget e sallës që janë kalbur. Ato maten me aktivitetet që nuk zhvillohen, me talentet e reja që nuk gjejnë skenë, me artistët që janë larguar ose kanë dalë në pension dhe me spektatorët që janë privuar nga një jetë kulturore e qëndrueshme.
Saranda nuk mund të mbështetet vetëm te koncertet e organizuara në sheshe gjatë sezonit turistik apo festave të fundvitit. Këto aktivitete janë të mirëpritura, por nuk mund të zëvendësojnë një institucion kulturor funksional, me program artistik gjatë gjithë vitit. Fëmijët dhe të rinjtë kanë nevojë për hapësira ku të zhvillojnë talentin. Artistët kanë nevojë për skenë dhe kushte pune. Qytetarët kanë nevojë për teatër, koncerte, shfaqje dhe aktivitete kulturore edhe gjatë vjeshtës e dimrit. Kultura nuk mund të jetë një aktivitet sezonal, i cili zgjohet vetëm kur qyteti mbushet me turistë.
Pas kaq vitesh pritjeje, qytetarët kishin arsye të besonin se më në fund diçka do të ndryshonte. Por nuk shohim punime. Nuk kemi dijeni për nisjen e procedurës së tenderimit. Nuk shohim as shenjat e para të një kantieri që do të paralajmëronte rikthimin e jetës në këtë institucion.
Ndoshta në zyrat e bashkisë mendojnë se edhe ky problem mund të zgjidhet me formulën e njohur: premto sot, shtyje për nesër dhe shpreso që pas pak kohësh qytetarët të merren me diçka tjetër.
Nuk mjafton të deklarohet se investimi do të financohet nga të ardhurat e bashkisë. Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse fondi është siguruar, nëse projekti është gati, në çfarë faze ndodhen procedurat dhe kur do të fillojnë realisht punimet.
Zoti kryetar, edhe një herë pyetja a ekziston projekti i plotë i rikonstruksionit? A është siguruar fondi? Pse nuk ka nisur tenderimi? Dhe, mbi të gjitha, kur do të fillojnë punimet?
Këto nuk janë pyetje politike për të sulmuar dikë. Janë pyetje të ligjshme të qytetarëve për një investim publik dhe për një premtim të dhënë nga drejtuesi i bashkisë. Dhe mbas një rikonstruktimin të plotë të godinës,ju kujtojmë se nevojitet një institucion i reformuar, me specialistë të fushës, me një strukturë profesionale dhe me një program të qëndrueshëm veprimtarish kulturore. Nevojitet konsultimi me artistët e Sarandës, veçanërisht me ata që kanë punuar në këtë godinë për rreth katër dekada dhe e njohin më mirë se kushdo funksionin e saj, nevojat dhe mundësitë që ajo ofron.
Rikonstruksioni duhet të shërbejë jo vetëm për të riparuar muret, por për të rikthyer publikun, për të ringjallur traditën artistike dhe për t’i dhënë qytetit një institucion që punon gjatë gjithë vitit.
Sepse një teatër pa program artistik është thjesht një godinë, ndërsa një qytet pa jetë kulturore humbet një pjesë të identitetit të vet. Zoti kryetar, koha e deklaratave po mbaron. Nëse rikonstruksioni do të nisë brenda vitit 2026, qytetarët meritojnë të shohin hapat konkretë që e bëjnë këtë të mundur. Nëse ka pengesa, ato duhen bërë publike. Ajo që nuk mund të pranohet është që godina të vazhdojë të degradojë, ndërsa qyteti të mbetet pa përgjigje.
Saranda ka pasur artistë, traditë dhe një publik që e ka dashur artin. Këto nuk duhen lënë të treten bashkë me muret e një godine të braktisur.
Dhe ironia më e madhe është se, në një qytet që kërkon të zhvillohet përmes turizmit dhe identitetit të vet, institucioni që duhet të prodhojë art ka vite që prodhon vetëm lajme për degradimin e tij.
Saranda meriton më shumë se një godinë që rrënohet dhe një premtim që shtyhet. Ajo meriton artistë në skenë, spektatorë në sallë dhe një jetë kulturore që nuk njeh stinë.
Dhe për këtë, Bashkia Sarandë duhet të veprojë tani, jo kur të vijë koha për të kërkuar përsëri votën e qytetarëve
Nga kujtime të bukura, në gërmadhë të harruar.
Të gjithë ata që u rritën në Sarandë e kujtojnë me nostalgji kinoteatrin e qytetit,vendin ku kemi parë koncertet e para, ku kemi ndjekur shfaqje e estradës ku qyteti merrte frymë me art e kulturë.
Sot i vetmi objekt i këtij lloji në qytetin tonë duket kështu i braktisur i shkatërruar dhe i lënë në mëshirë të fatit.
Është e dhimbshme të shohësh se si arti dhe kultura në Sarandë zvogëlohen çdo ditë e më shumë, ndërsa hapësirat që duhet të na bashkonin po kthehen në gërmadha. Saranda nuk ka nevojë vetëm për beton e turizëm elitar, ka nevojë edhe për shpirt, art dhe kujtesë kulturore!///SARANDA NEWS.AL)
ME SHUME LAJME
Ambalazhet, detyrime të reja për bizneset dhe depozitë e rimbursueshme për shishet plastike
Dëmet nga protestat në Tiranë kapin vlerën e 2.15 milionë eurove. Tatimet nisin verifikimet për 127 bizneset e dëmtuara
Mbi 17 milionë vizitorë në Shqipëri deri në shtator, rreth 10 milionë ishin turistë të huaj