Nga Ndriçim Kulla/
Me personalitetin e Branko Merxhanit jam njohur që në kohën e komunizmit, përafërsisht në mesin e viteve 1980. Unë në atë kohë kryeja “dënimin” në minierën e Valiasit në Tiranë duke nxjerrur qymirguri, nga ku në ritualin e jetës time të përditshme , sapo mbaroja turnin e punës i hypja autobuzit menjëherë dhe shkoja në Bibliotekën Kombëtare për të bërë “turnin tjetër” tetëorësh të studimit.I “skllavëruar” me këtë mënyrë jetese; tetë orëshin e gjumit ,të studimit dhe të punës së vështirë në minierë kalova shumë nga vitet e pasioneve të rinisë time për të mësuar diçka më shumë dhe të dilja përtej perdes nga ajo çfarë na servirte propaganda e regjimit komuniste.
Gjithmon do ta kujtoj me nostagi dhe mirënjohje të lartë Marian bibliotekaren e urte dhe njerëzore , e cila pasi më kishte njohur për vite me radhë në tavolinat e studimit një ditë iu përgjigj me guxim interesimit tim për të shfrytëzuar në sallën e bibliotekës shtypin e viteve tridhjet të shek të kaluar i cli nuk ishte i lirë për tu shfrytëzuar nga çnjeri.Për hirë të vërtetës të githë ndjenim diçka, se diktatura ishte dobësuar, por nuk kishte rënë.E shfrytëzova me etje këtë moment , kryesisht për shtypin e viteve tridhjetë dhe një pjesë të literaturës së kësaj periudhe nëpërmjet së cilës kur e lexoja po ndjeja shijen e rilindjes sonë kulturore, për të cilën nuk kishim dëgjuar kurrë asgjë të mirë për të , përveç përcmimit të personaliteteve të saj.
Në mes të aryre shumë e shumë njerëzve të ditur të kësaj periudhe, të cilët me idetë e përparuara kishin arritur të ngjiznin projektimin e një Shqipërie të re kulturore ,arsimore dhe qytetëronjëse , profili i Branko Merxhanit ngjiti në mëndjen time i vlerësuar si më përfaqësuesi. Dhe mbasi kalova shumë vite të vështira dhe të hallakatura pa pikë sigurie për jetën në fillimet e tranzicionit fati më shpuri në profesionin e pasioneve të mia të kulturës.
Studimet e mia të thelluara më bënë të ndëgjegjësdohesha nga dita në ditë se Branko Merxhani jo vetëm duhej botuar por duhej bërë i lexueshëm dhe i interpretueshëm për lexuesin e sotëm shqiptarë.Një libër mbi jetën dhe idetë mjaft aktuale që ai zhvilloi mbi 70 vjet më parë do ta lidhte atë me lexuesin e sotëm dhe brezat r aedhshëm.Edhe pse librat nuk planifikohen më dukej e nevojshme që ky libër të bëhej sa më shpejtë që të ishte e mundur.
Ndryshe nga një libër eseistik apo me letërsi të mirfilltë një libër studimorë si ky i shkruar në kushtet e jets së sforcuar të pandemisë ishte një sfidë tejet e vështirë.Por mbresat dhe përjetimet e fituara që në kohën e censurës komuniste kanë patur një rol mjaftë nxitës në shkruajtjen e këtij libri.

“Për lexuesin shqiptar Branko Merxhani ka mbetur një emër mes së njohurës e së panjohurës: i ndeshur diku në një revistë të moçme, i ngatërruar ja me njëfarë Historie të Perandorisë osmane në Ballkan, ja me diç si përkthime mësimesh të Freud-it; emër i lidhur me një artikull të zhurmshëm titulluar Pse nuk jam Marxist?,a me një shkrim përkujtimor të paradokohshëm përfund një faqeje gazete. Këtë fat, të njohjemosnjohjes, ia plotëson atij edhe prejardhja e vagullt: një qytet anonim i Turqisë, vitlindja e pasigurt aty nga fundi i shek. XIX, guvernantja (a nëna?) gjermane, kolegji anglez (a francez?) në Izmir, studimet për turkologji, studime të tjera në Gjermani (a Austri?), ardhja e parë në Gjirokastër, një shërbim i gjatë në Ankara, kthimi në Tiranë, një pinjoll i mendësisë lindore që u tregon shqiptarëve rrugët e Perëndimit, ikja përfundimtare, kështu gjithnjë: 1/2 mjegull – 1/2 njeri”.Kështru shkruan një studiues i njohur i veprës së Merxhanit, ndërsa një analist do të shtonte: “ Branko Merxhani është një personazh për t’u zbuluar.
Ai vetë ka folur pak për jetën e vet, dhe nuk është bërë i gjallë pasi e la Shqipërinë, disa muaj pas pushtimit nga italianët…Pas përmbysjes së komunizmit janë bërë ca përpjekje të njërit apo tjetrit për të davaritur mjegullën që e rrethon jetën e këtij personazhi të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, por rezultatet kanë qenë minimale.
Ai jetoi gjatë, vdiq në vitin 1981, dhe pas, përveç emrit të mirë e punëve të mëdha, ka lënë dhe plot pikëpyetje. Pse s’u bë i gjallë? Pse nuk e gjeti një mënyrë për të përcjellë një sinjal, se ai ekzistonte? Pse s’e gjeti një mënyrë për të thënë se ç’mendonte për parantezën shqiptare të jetës së tij? Pse askush nuk dinte gjë për të?
Pse edhe të bijat kishin një informacion me pikatore për të? A ish Shqipëria e shqiptarët pjesë e mejtimeve të tij në ditët e fundit të jetës? Si vdiq? Kush iu ndodh pranë në momentet e fundit? Pse na la neve të dimë kaq pak për të?”Duket pra, se janë të shumta pikëpyetjet dhe aq të pakta informacionet rreth tij.
Aq më tepër që më kohën kur ai u shfaq pakkush dinte ndonjë gjë për Merxhanin dhe me siguri në kafe “Kursal” apo në mjediset e tjera kulturore kryeqytetase shfaqja e tij është pritur me shpërfillje, në mos në mënyrë armiqësore. Tirana ishte e mbushur me intelektualë të kësaj natyre që kishin mbaruar shkolla jashtë e ktheheshin në Shqipëri me ambicjen për të gjetur një hapësirë në sfondin kulturor e politik të Shqipërisë së atyre viteve. Ajo që e bënte të ndryshëm Merxhanin nga të tjerët ishte pikërisht fakti se ai nuk bëri asgjë për të sqaruar mjegullnajën që shoqëroi shfaqjen e tij.
Ai nuk tundi diplomat kafeneve si të tjerët, nuk tregoi spaletat e gjyshërve të fituara nga shërbimet ndaj Stambollit. Merxhani mbeti deri në fund enigmatik dhe pa dëshirën për të shuar kureshtjen e thashethemexhinjve shqiptarë me të dhëna nga jeta e tij private. Për të gjitha këto arsye, një dimension i studimit për Merxhanin do të jetë edhe zhvillimi jo vetëm i biografisë së tij, por edhe i natyrës intelektuale, pasioneve dhe ndikimeve socio-filozofike që spikatën në veprën që ai la për shqiptarët. E për të kaluar në një tjetër rrafsh biografie, do të duhet të shqyrtojmë pikërisht përmbajtjen dhe cilësinë trashëgimore të produktit të tij më përfaqësues: doktrinës neoshqiptare.
Kishte edhe parashtrime të tjera ideologjike që u shpalosën në atë kohë, atëherë cila ishte vallë veçantia e neoshqiptarizmës që ajo arriti të linte gjurmë të cilat mund të ndiqen edhe sot? Studiues të ndryshëm, krahas këtij etiketimi, kanë dalluar tek kjo ideologji edhe “një shkencë që jep një përkufizim special të një shteti të pavarur”. Gjatë kohës që ai punoi klerikët e veriut e përmendën veprën e tij si një sistem të mbaruar, ndërsa disa të tjerë si aspirues “për krijimin e një shkolle filozofike merxhaniane”.
Për rrjedhim, është e natyrshme që një libër si ky që po ju sjell unë në këtë kohë pandemie, që studion trashëgimninë e tij mendore t’u japë përgjigjie edhe pyetjeve të tilla si: a krijoi një shkollë filozofie, një shkencë apo një sistem?. E më tej, ideologjia e tij që asokohe konsiderohej si jo-realiste, sot është vallë ende një utopi, një kundër-botë, një botë tjetër apo një botë ndryshe për shqiptarët. Përgjigjia e pyetjeve të tilla do të përbënte dimensionin e dytë të rëndësishëm të këtij trajtimi.
Megjithatë, gjithkush që do të dojë të trajtojë temat e mëdha që mendimi shqiptar i midis dy luftrave botërore projektoi për ardhmërinë e shoqërisë shqiptare, nuk do të mjaftohej në një qartësi të paraqitjes ose njohjes së thelluar të autorit më përfaqësues të kësaj epoke. Do të duhej edhe një vëmendje e veçantë në proçeset historike nëpër të cilat kaloi shteti shqiptar i këtyre dekadave për t’u krahasuar me epokën e tranzicionit shteti ynë po kalon pas shëmbjes së rregjimit komunist. Pasi është pikërisht ky paralelizëm ai që na intereson për të ballafaquar aktualizimin me kohën e sotme të doktrinës neoshqiptare.Për këtë arsye, njëra nga mënyrat e “rrugëtimit” të kësaj doktrine do të qe paraqitja e tërësisë filozofiko-shoqërore ku ajo mund të përmblidhet në një seri “sprovash”, që të bashkojnë brenda vetes prurjet e një plejade të caktuar autorësh, që i lidh diçka e fortë, kryesisht me doktrinën bazë, me njëri-tjetrin por edhe me historinë e secilit prej tyre.
Vetëm se këto sprova nuk mund t’i përshtaten modelit të “portreteve” ose “tabllove” që paraqiten bukurisht në vete. Ato duhet të arrijnë të lidhen së bashku nga një logjikë që priret të dëshmojë diçka evoluese dhe të koordinuar deri në fund, e në këtë rast një sistem, një ideologji, një tendencë do të qe filli më i mirë lidhës në mes tyre. Veçse për synimin tonë kjo nuk mjafton, pasi synohet të krijohet një vijueshmëri, një rrugëtim i intelektualitetit shqiptar të këtyre viteve dhe tezave që ata trajtuan apo parashtruan deri në kohën tonë, duke marrë për nisje pikëpamjet e Merxhanit dhe të neoshqiptarëve.
Kërkohet, kësisoj një dimension i ri i trajtimit të korpusit të këtij mendimi, duke dëftuar se si mund të “zhytet” dimensioni historik ku ai punoi në një analizë sociologjike të kohës ku ne po jetojmë, për të përfituar kështu sa më shumë nga rezultatet që arrin të na japë një disiplinë e tillë si sociologjia historike. Ky dimension do të përqëndrohet gjithësesi tek e tashmja, pavarësisht se do të ndërrmarrë një “rrugëtim të njëmendtë”, para së gjithash mbi vlerësimet klasike sociologjike dhe filozofike që ai formuloi, pastaj mbi masën e madhe të librave dhe studimeve më të spikatura që citoi dhe shpjegoi në këto studime, e se fundi, në qëndrimin që ai mbajti në po të njëjtën “gjatësi vale” me prirjet dhe teoritë më bashkëkohore të kohës, por edhe në mënyrë krejt të pavarur prej tyre.
E gjitha kjo, përveçse një “vijimi të natyrshëm”, do të ravijëzonte njëkohësisht, për herë të parë, edhe hapësirën e caqet, formën dhe përmbajtjen, fushat e shtrirjes dhe metodologjinë e zbatimit të një sociologjie historike të mendimit shqiptar, të cilit mendimi merxhanian do të provojmë se ai është themelues. Për ta realizuar një qëllim të tillë, padyshim që nevojitet një mbeshtetje e fortë shkencore dhe social-historike, pasi një disiplinë e tillë, në identitetin e vet ka lidhje edhe me zhvillimin e një antropologjie kulturore të këtij mendimi. Kjo shpjegon faktin pse shpesh përgjatë hulumtimit do të ndiqen disa vija të caktuara hierarkie që kanë të bëjnë me realitetin e sotëm historik, me problemet dhe zhvillimet e tij, të kryqëzuara ose të mbivendosura, aty ku do të shihet e mundur, me pikat e përbashkëta apo zgjidhjet paralele që ky mendim dha ose ideoi për po të njëjtat tema. Këto pikëpjekje do të na bëhen më pas gurët kilometrikë të ndërtimit të themeleve të sociologjisë historike shqiptare në dimensionin e saj ontologjik.
Kjo nuk nënkupton përdorimin e qenësishëm të dijeve të caktuara historike apo një prani të vazhdueshme të rrëfimit historik përgjatë zhvillimit të analizës së të gjitha sprovave në tërësi. Përkundrazi, synon përdorimin gjatë këtij rrugëtimi të urave që historia dhe sociologjia ndërtojnë sa herë kur arrijnë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.
Një metodologji e këtij lloji dhe strukture nuk është as e shtrirë në skajet e antropologjisë kulturore dhe as e konsiderueshme si një rrymë e caktuar e historiografisë, pavarësisht se e “ngjyen penën e studimit edhe në bojën, termat dhe konceptet e tyre”. Është më tepër një formë, mjaft e njohur sot, e prodhimit të dijes që lind nga ndërgjegjia e plotësuar se shoqëria dhe kultura e një vendi apo e një populli janë gjithmonë të “kredhura në një kohë historike” e cila nuk përkon me konceptin e një kohe homogjene, të matshme dhe të drejtpërdrejtë.
Shoqëritë lëvizin në brendësi të kohëve të ndryshme, duke përpunuar, riformuluar, huazuar apo nxjerrë për përdorim koncepte të kohëve dhe historive të ndryshme. Ja, përse shpesh, na ka ndodhur që të jemi ndeshur me paralelizma të kohës dhe problemeve të realitetit tonë me kohën e viteve 30-të. Për këtë arsye, kemi gjetur, që mjaft zgjidhje, fenomene e deri dhe procese të tëra historike të mbetura pa u zhvilluar dhe pa përfunduar që atëherë, të shfaqen si kontribute dhe si çështje të shtruara për zgjidhje në kohën tonë.
Është ky një tjetër kusht që na shpie në vlerësimin sa më të madh të aktualitetit të këtij mendimi edhe në botën e intelektualitetit të sotëm shqiptar, duke përbërë njëherësh edhe dimensionin më të rëndësishëm që mund të paraqesë për lexuesin e sotëm një libër i tillë mbi Merxhanin. Ai është një studim i shkruar duke pasur parasysh shqiptarët e sotëm, shqiptarët e shekullit XXI dhe një botë reale, konkrete për ta, me të cilën të arrijnë të realizojnë në frymë, në gërmë dhe në lëndë, brumin e së ardhmes së tyre. //Botuar ne “Gazeta Shqiptare”///
ME SHUME LAJME
Kulturë.Botime. U promovua në Sarandë libri i ri i Vangjel Agorës: “ATJE KU SHKËNDIJA E ARTIT SKENIK BËRI STREHË”
“Travel+Leisure”: Shqipëria – vendi evropian me plazhe mahnitëse si Greqia dhe qytete alpine si Zvicra
Më 8 mars 1909 në Amerikë u festua për herë të parë Dita Ndërkombëtare e Gruas