SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Manastirliu pret përfaqësuesit e mjekëve: Jemi në të njëjtën anë të llogores.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu takoi sot paradite përfaqësuesit e mjekëve të cilët kanë deklaruar se kërkojnë përmbushjen e disa kërkesave.

Takimi është thirrur nga zyra e bashkëqeverisjes në Kryeministri, aty ku është drejtuar dhe kërkesa e sindikatës së mjekëve. Takimi që zgjati për 90 minuta u zhvillua me pjesëmarrjen e Ministres së Shëndetësisë, Drejtorit të QSUT dhe përfaqësia e sindikatës së mjekëve. Në takim, u diskutuan në lidhje me 4 kërkesat e mjekëve, ndër të cilat ajo më e rëndësishmja, është e ezauruar tashmë pasi Kryeministri Rama, pak ditë më parë ka shpallur rritjen e pagave të tyre me 40%. Takimet do të vijojnë në grupe teknike në MShMS.

“Mjekët dhe infermierët e kanë Ministrinë shtëpinë e tyre, aty do të zhvillohen të gjitha takimet dhe diskutimet. Ne jemi të bindur që jemi duke punuar për të bërë më të mirën edhe në këtë situatë pandemie ku forca jonë më e madhe janë mjekët dhe infermierët, ata janë aseti ynë më i çmuar, do t’i dëgjojmë, do t’ju marrim mendim dhe ata do të punojnë për të ardhmen e tyre dhe për pikat që ata kërkojnë”, u shpreh Manastirliu pas takimit.

“Janë të katër pikat të cilat do të diskutohen. Siç e tha doktor Stroni janë çështje që do të diskutohen edhe me ekipe më të vogla pasi janë çështje që adresojnë situata të ndryshme, të cilat kërkojnë një ekspertizë edhe ndërkombëtare, pasi duhet vlerësuar edhe në një kuadër më strategjik me praktikat më të mira ndërkombëtare”, u shpreh Manastirliu.

“Ne do bëjmë më të mirën. Mos harrojmë që një vit e pak më përpara në saj të punës që ne kemi bërë së bashku me sindikatën, ndryshimet në kodin penal janë realizuar. Qeveria ka vullnet për të vijuar për të përmbushur kërkesat e mjekëve dhe infermierëve ashtu siç kemi treguar mbështetjen për ta në çdo moment të punës tonë. Ne jemi së bashku, jemi në të njëjtën anë të llogores, do të vijojmë të punojmë për të mirën e qytetarëve dhe padyshim për të adresuar të gjithë nevojat e asetit tonë më të çmuar”, u shpreh ndër të tjera ministrja e Shëndetësisë.

Mjeku Gentian Stroni, një nga përfaqësuesit e mjekëve pas  takimit me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se u dakordësua mbi një kalendar mbi realizimin e kërkesave të mjekëve dhe infermierëve.

“Hodhëm bazat e bashkëpunimit, dhe bëmë një kalendar për realizimin e kërkesës. Do kemi grupet e punës që janë nga sindikata jonë dhe qeveria për të arritur në përfundimet që do të donim të ishin. Do jetë pjesë e një diskutimi tjetër në grupe më të vogla për detajet. Për t’u vlerësuar fakti që nga pala qeveritare u panë të drejtat për 4 kërkesat, tani do të punojmë për realizimin në detaje”, tha mjeku.

Në takimin me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si përfaqësues të mjekëve ishin Gentian Stroni, Fatos Olldashi, Altin Kuqo dhe Arjan Mezini.

Paraditen e sotme një grup mjekësh kanë zhvilluar një protestë njëorëshe për sensibilizim me kërkesat e tyre, të shpallura një ditë më parë.

Kërkesat e mjekëve janë: Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm, të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën dhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë, rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor si dhe personelit shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjithave standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare.///atsh///

error: