SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Avokati Gurali Brahimllari: Reforma në drejtësi ka dështuar në thelb, u deformua nga ndërhyrja politike

Avokati Gurali Brahimllari, në emisionin “Trialog” në RTSH, deklaroi se, sipas tij, reforma në drejtësi ka dështuar në pjesën thelbësore dhe kjo për shkak të ndërhyrjeve politike.

Unë kam bindjen se në pjesën thelbësore, reforma në drejtësi ka dështuar. E them këtë si një ndër shumë magjistratët që kemi qenë pro miratimit të saj. Por jo shumë kohë më pas, pati një problematikë serioze politike që, kur ndërhyn, ose e formon ose e deformon reformën. Dhe unë mendoj se, me miratimin e ligjit të vetingut, reforma u deformua,” tha Brahimllari.

Sipas avokatit, problemi kryesor që çoi në dështimin e reformës ishte kriteri i vlerësimit të pasurisë në procesin e vetingut. Ai theksoi se ky kriter u aplikua në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Ligji parashikonte se një gjyqtar mund të shkarkohej nëse pasuria e tij ishte më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme. Por rekomandimet e Komisionit të Venecias kërkonin siguri juridike, dhe vetë komisioni i reformës në drejtësi kishte mendime të qarta mbi këtë. Çfarë ndodhi? Opozita bojkotoi miratimin e ligjit dhe maxhoranca e asaj kohe e deformoi vullnetin e përbashkët që ishte miratuar më parë, madje edhe atë të përfshirë në Kushtetutë,” deklaroi ai.

Avokati Brahimllari shprehu bindjen se ndërhyrja në ligjin e vetingut ishte një deformim i qëllimshëm politik, pasi asnjë përpjekje nuk u bë më pas për ta korrigjuar situatën.

Për mendimin tim, kjo ishte një ndërhyrje e qëllimshme, sepse nuk pati më asnjë përpjekje për ta rregulluar më vonë. Kështu, reforma humbi thelbin dhe besimin tek ajo,” tha Brahimllari.///

error: