Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ishte në “Qytetin Studenti” ku mori pjesë në bashkëbisedimin për figurën e Azem Hajdarit dhe misionin e tij. Berisha u shpreh në fjalën e tij se Azem Hajdari ishte një guximtar i jashtëzakonshëm. “Ky takim të zgjon mendime të ndryshme. Por ndonëse kjo është dita e pushkatimit të Azem Hajdarit, në mënyrë të vetëvetijshme, kjo është dita dhe çdo ditë që ne mendojmë atë, është vepra e tij. Azem Hajdari jeton dhe është i pavdekshëm në veprën e tij”, tha Berisha.
“Për të qenë realist asgjë nuk do t’i përshtatej më shumë këtij takimi sesa ‘Dhjetori në rrezik, ’90 në rrezik’. Dhe në rrezik shumë të madh. A shërben sot kujtimi i veprës së Azem Hajdarit? Mendoj se frymëzon sot më shumë se kurrë. Unë do t’ju përshkruaj, jo për të bërë histori, por 2-3 momente të atyre ditëve që ndanë historinë, epokat dhe hodhën themelet e ndarjes së sistemeve”, theksoi Berisha.
“Çfarë ishin ato dy ditë të para? Azem Hajdari dhe një grup disa qindra studentë u treguan të pamposhtur. I ftoi Ramiz Alia në darkë, doli në 1 të natës, u nxori ministrin dhe sampistat dhe i dërrmoi me shkopinj dhe mjete të tjera. Ata ishin të pamposhtur, sepse të nesërmen dolën në demonstratën e parë antikomuniste në rrugët e Tiranës. Në kuptimin e sloganeve dhe organizimit. Në 8 të mëngjesit kanë dalë dhe kanë zënë rrugën e Elbasanit”, u shpreh Berisha.
“Aty kam qenë dëshmitar, u sulëm me një barbari dhe tërbim për t’i bërë copa. U shpërndanë, erdha këtu, diku tek ato ndërtesat e para dhe gjeta Azemin me një grup studentësh. Jo që nuk i gjeta të frikësuar, por përkundrazi, të vendosur për të shkuar drejt sheshit”, tha Berisha.
“Pra çfarë ishte Azem Hajdari dhe bashkëpunëtorët e tij? Ishte një guximtar i jashtëzakonshëm dhe këta ishin të pamposhtur. Azem Hajdari u bë lider në një mënyrë unike, epike. Mund t’i themi ç’të duam”, theksoi Berisha. Ndërsa e bija e Azem Hajdarit, Rudina Hajdari tha se, “ky shesh është nga më të shenjtët në Shqipëri, pasi solli shembjen e diktaturës”.
“Disa në këtë shesh janë të rinj dhe Azemi ishte shumë i ri kur mori zemër dhe ngriti krye ndaj diktaturës. Kush e ka jetuar atë kohë, e di fare mirë se çfarë guximi duhej për t’u përballur me regjimin në kushtet e një studenti të ardhur nga Tropoja.
Kush e ka jetuar atë kohë e di fare mirë çfarë do të thotë, të organizojë studentët dhe të thoje ‘Poshtë Komunizmi’, ‘Liri demokraci’”, u shpreh ajo.
“Çfarë duhet të bëjmë ne sot, që të gjejmë atë guxim dhe të ndjekim atë rrugë. Në jetën time, kam deduktuar se Azemi vlerësonte dhe jetonte për tri gjëra, familjen, atdheun dhe lirinë. Ai e urrente komunizmin mbi çdo gjë tjetër. E dini pse? Sepse komunizmi përdhosi familjen duke i vendosur kundër njëri-tjetrit. Komunizmi e përdori atdheun si lopë për ta mjelë dhe për të jetuar mirë vetëm një grusht njerëzish në Bllok dhe duke zhytur një grusht njerëzish në varfëri. Komunizmi ua mohoi lirinë shqiptarëve të thjeshtë, i la pa fjalë, mendim dhe pronë”, u shpreh Rudina Hajdari.///
ME SHUME LAJME
Kulturë. Përkthyesi Vangjel Zafirati boton në Greqi antologjinë me poezi bashkohore shqipe “VARGJET QË VRANË POETIN”
Një karrocë fëmijësh për kryeministrat
Policia masa shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore