Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dorëzoi sot në selinë e PD-së, 4200 firmat për thirrjen e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së.
“Sot kemi sjellë 4200 firma nga 1800 që është detyrimi statutor për të thirrur këtë Kuvend. Formularët do të dorëzohen të kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. Peng-kryetari nuk ka mbledhur akoma kryesinë e Partisë, ai ka frikë, ka tmerr”, tha Berisha.
Berisha tha se “do të ruhet privatësia e të dhënave të formularëve, se ka jo vetëm gjeneralitete, por edhe numrin e kartës së anëtarësisë dhe të identitetit”.
“Verifikimi i mandateve sipas rregullit të çdo Kuvendi bëhet vetëm nga Kuvendi, sepse vetëm Kuvendi ka të drejtën që të verifikojë mandatin e zonjës apo zotërisë që ka firmosur formularin. Pengun kryetar e ftoj të vijë dhe në verifikimin e mandateve. Të vijë ose të sjellë grupin e tij. Dhe të shikojë se kush ka firmosur për mbajtjen e Kuvendit”, tha Berisha.
I pyetur nëse me ardhjen e tij në krye të PD-së, do e përjashtojë Lulzim Bashën, Berisha tha “jo”, duke ia lënë në dorë vetë Bashës, të përcaktojë fatin e tij.
“Unë mendoj do të jetë vetë ai, që do të përcaktoj vendin e tij”, tha Berisha.
Berisha iu përgjigj edhe paralajmërimit të ambasadores amerikane se nëse zgjidhet Berisha, SHBA ndërpret çdo marrëdhënie me PD-në, duke këmbëngulur se dosja e tij është e bardhë.
“Zonjës ambasadore dhe cilitdo tjetër që ka një fakt, një provë të vetme e ftoj t’i dërgojë pranë gjykatës në Paris. Përfaqësues të vendeve mike, personalitete të shquara të elitës politike amerikane, nuk pajtohen, nuk binden, madje e marrin thjesht si një hakmarrje politike deklaratën se kemi prova, por nuk i themi. Kjo ka marrë fund. Ke prova çoji para gjykatës. Mund t’ju them që në të dy anët e Atlantikut, miq të shquar më thonë se kanë parë dosjen, e kanë gjetur atë sine materia. Çështja e kafes, le të vazhdojë të pijë kafe në livadhet e qeverisë. Por jam i sigurt që do e afrojmë Shqipërinë më shumë me BE-në dhe SHBA. Ky është zotimi im”, tha Berisha.
Pas mbërritjes së firmave për të thirrur Kuvendin Kombëtar të PD-së, kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka tha se do të zbatojë detyrimin e delegatëve, ndërsa zbuloi se ai vetë nuk ka firmosur.
“Është ndjekur rruga që përcakton statuti që prevalon e drejta e ¼ të delegatëve për të thirrur Kuvendit, kur strukturat apo forumet e tjera nuk e realizojnë. Jemi në këtë rast dhe për këtë arsye zbatojmë detyrimin ndaj delegatëve të Kuvendit për ta mbledhur Kuvendin. Firmat janë në zyrën time, e dëgjuam shpjegimin se përse formularët u depozituan në zyrën time. Asnjë nuk ka të drejtë që të bëjë verifikimin e firmëtarëve përveç Kuvendit. Ngrihet një Komision për verifikimin e mandateve. Firmëtarët më kanë kërkuar që të ruhet fshehtësia e të dhënave të tyre, formularët do të hapen vetëm ditën e Kuvendit të jashtëzakonshëm. Nuk kam firmosur formularin, por do të respektoj verifikimin”, tha Paloka.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI