Ish-kryeministri Sali Berisha ishte sot në Prokurorinë e Tiranës ku për më shumë se 2 orë dha dëshminë e tij për ngjarjet në protestën e 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike.
“I thirrur këtu me urdhër të kreut të Meduzës, unë erdha në respekt të atyre parimeve me të cilat jam i mbrujtur. Ajo ç’ka dua t’iu them është se në deklaratën time theksova se, për çdo shqiptar, për çdo mik e partner të Shqipërisë, shëmtira më kryesore, akti më i paimagjinueshëm, momenti më kriminal në historinë e 30 viteve, dëshmia më flagrante e lidhjes së politikës me krimin, ishte jo vetëm atë ditë, por unë po marr 8 janarin, Lulzim Brava i rrethuar nga një bandë vrasësish, trafikantësh, pengmarrësish, fondamentalistësh. Kjo përbën dhe momentin më dramatik dhe dëshminë më flagrante të shkrirjes në një të narkoshtetit dhe lidhjeve të një politikani me krimin”, tha Berisha në deklaratë për mediet pas dëshmisë në Prokurori.
I pyetur nga gazetarët, nëse dha prova dhe emra në Prokurori, Berisha tha se një pjesë të emrave, i ka publikuar në faqen e tij të “Facebook”, ndërsa ka shtuar se do të dorëzojë çdo provë.
“Pa diskutim që kjo ishte një çështje pjesë e deklaratës sime. Partia Demokratike do të dorëzojë çdo informacion që mbledh për këtë grup mercenarësh, vrasësish, trafikantësh. dhe po mbledhim”, tha Berisha.
“Emrat konkretë i keni të publikuar edhe në facebook tim, disa prej tyre. Facebook e kam publik”, tha Berisha.
“Besoj se momenti që një seli partie qëndronte e pushtuar me banditë, tregonte gjithçka se ç’ndodh në narkoshtet”, theksoi Berisha.
Ai shtoi se, “një çështje tjetër që unë shtrova me forcë, ishte se si ka mundësi që të njëjtat armë që përdorte narkopolicia e Edi Ramës, përdorte dhe banda e Lulzim Bravës? Kjo ishte një dëshmi tjetër e një shkrirje, bashkëpunimi, të grupit të mercenarëve me narkobanditët me uniformë”.
I pyetur nëse ia dha Prokurorisë emrat e atyre që i quan mercenarë, Berisha tha se, “emrat e mercenarëve, një pjesë i kanë ndaluar. Problemi është se armët i nxori nga selia, thuhet, Lulzim Brava me mjetin e tij. Megjithatë, siç e dini ju, ka dëshmi flagrante të pranisë së njerëzve të armatosur në seli. Ka foto, por jo vetëm foto. Kështu që nuk ka asnjeri sot që vë në dyshim, që vë në diskutim ekzistencën e këtij grupi të gjerë mercenarësh të përbërë nga vrasës, trafikantë, fondamentalistë, në seli, si roje të Lulzim Bravës”.
“Moment tjetër që kompromenton, që dëshmon shkrirjen në një të krimit, të Edi Ramës dhe Lul Bravës, është Garda. Lulzim Brava, në kundërshtim me ligjet, mbrohet nga Garda, se ai është i shkarkuar, nuk është më kryetar opozite. Garda, oficerët e gardës nuk mundet kurrë të qëndrojë në mbrojtje të një njeriu, që mbante afër vrasës e banditë. Ata zbatojnë porosinë e partisë. Një oficer garde që ruan një personalitet dhe konstaton se personaliteti mban përreth vrasës e trafikantë, është i detyruar t’i thotë komandantit të tij, z. Komandant unë me vrasës dhe trafikantë nuk e mbroj këtë njeri”, tha Berisha.
I pyetur për deklaratën e zyrtarit të lartë amerikan, Gabriel Escobar, Berisha tha se, “unë shpreh keqardhje të madhe. Sepse në vizitën e parë reagimi im ishte ky: që shqiptarët janë një komb i vjetër dhe në ato elementë të tyre, ata nuk i kanë qef kukullat. Po ta vësh re ti, Shqipëria është vendi me tregun më të vogël të kukullave në rajon. Pse e tek, është çështje e analistëve kjo. Dhe në mënyrën më të sinqertë i kërkova mos merret me kukulla. Mendoi se me deklaratën do ta ndihmonte. Por ju e patë që jo vetëm nuk ndikoi në Kuvend, por Kuvendi shënoi një rekord historik”.
“Tani përsëri thotë se unë punoj mirë. Tani i them zotëri, si punohet mirë me një njeri që për mbrojtjen e tij dhe të ndërtesës, merr vrasës dhe banditë brenda, ndërkohë kur ka edhe Gardën? Ju duhet të informoheni më përpara. Por tjetër, më e rëndësishmja. Nuk ka rëndësi fare, dakord ai shpreh qëndrimin e tij megjithatë prapë e ftoj unë z. Escobarin dhe cilindo, çdo fakt dokument që të ketë të shkojë ta depozitojë në gjykatë. Çdo fakt dhe dokument që të ketë t’ja u sjellë shqiptarëve, s’ka nevojë për gjykatë fare, marr unë vetë vendimet e mia. Përndryshe pastaj ajo mbetet”, tha Berisha.
“Ajo e cila është, për mendimin tim, e rëndë dhe unë mendoj se duhet të rishqyrtohet, të mbështetës Lulzim Bashën sot, jo vetëm mbështet një kufomë politike, që secili prej jush po t’ju pyesin, këtë do i thoni. Por është më keq se kjo. Jo vetëm është një kufomë politike, por ai ka një gjë tjetër. Të mbështetës Bashën, është një përçmim i madh, një shkelmim mbi politikanët e rinj shqiptarë. Të mbështetësh Bashën nuk lufton Sali Berishën, ua them unë që jo. Ata që mendojnë se po më dëmtojnë mua duke mbështetur Bashën, nuk i bëjnë llogaritë mirë. Problemi është më i thellë këtu. Problemi është se çfarë shohin qytetarët shqiptarë tani, kur ky politikan i ri është njeriu më i degraduar i politikës shqiptare. Jo nuk janë të tillë politikanët e rinj shqiptarë. Nuk është Lulzim Basha. Por thoni sa të doni ju, ai ishte politikani i ri shqiptar, në Shqipëri, se në Kosovë ka, në pozitën më të lartë. Pra a mendoni ju se është një problem i madh për gjeneratat e reja mbështetja e tij? Një problem shumë i madh, sepse ai është simbol i të pabesit, i të lidhurit me krimin më shumë se kushdo tjetër, siç e faktoi vetë, pa ia imponuar kush. I përzier në afera korruptive shumë të rënda, të njohura me dosje edhe në SHBA, edhe në vendin e z.Escobar, plus dosje të tjera. Unë u bëj thirrje agjencive të zbatimit të ligjit të vendeve partnere ta hetojnë minimumi për larje parash, sepse Edi Rama ia mbylli dosjen e larjeve të parave në Shqipëri” u shpreh Berisha.///
ME SHUME LAJME
MEMORIE. Sot kujtojmë Prof. Moikom Zeqon, intektualin e rrallë.
Media italiane “TgYou24”: Mes plazheve dhe trashëgimisë kulturore, Shqipëria në krye të tendencave turistike
Himara mes destinacioneve më të kërkuara nga britanikët për verën e 2026-ës